“Ne jemi të vendosur t’i japim fund krizës politike dhe do bëjmë gjithçka, do të ndërmarrim çdo hap me çfarëdo kosto për të mos vonuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe legjitimitetin e institucioneve, si rruga e vetme për t’i dhënë fund krizës politike”.
Kështu deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, me të cilin tha se ka diskutuar pikërisht mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në Shqipëri.
Basha tha para mediave se komisioneri për Zgjerim e ka prezantuar me strategjinë e tij, të cilën ai dhe opozita e bashkuar e mbështesin plotësisht, dhe se kanë gjetur dakordësi për arritjen e dy objektivave madhore, që do çonin në zgjidhjen e krizës, zgjedhjet e lira e të ndershme dhe hapja e negociatave.
“Më prezantoi me strategjinë që do paraqes ai, strategji që unë dhe opozita e bashkuar e mbështesim plotësisht. Prezantuam dhe gjetëm dakordësi të plotë se zgjidhja e krizës së rëndë politike në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe hapja e negociatave, janë dy objektiva madhore, në harmoni dhe përputhje të plotë me njëri-tjetrin.
Mirëprita ndihmën e BE, që mundësoi dialogun politik për Reformën Zgjedhore jashtë parlamentit ilegjitim, të dalë nga krimi i organizuar, si hap i parë për të çuar drejt zgjedhjeve të lira, ku të zgjedhin qytetarët. Pa ndodhur kjo, nuk do të ndodhë asgjë, që do të çojë vendin përpara”, tha Basha.