Duke i dorëzuar aktorit Malaj vlerësimin e lartë, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar, dhe një pedagog me 35 vite eksperiencë pedagogjike në Universitetin e Arteve.
“Kontributi i tij është real dhe i prekshëm, si në krijimtarinë e tij aktoriale ashtu edhe në fushën pedagogjike. Me krijimtarinë e tij, Petrit Malaj është një personalitet i njohur për publikun shqiptar, ku me personazhet e interpretuara prej tij ka fituar simpatinë e të gjithëve.
Ai ka interpretuar në mbi 20 filma artistik, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij. Zoti Petrit Malaj i përket një brezi të artë të artistëve shqiptarë.
Nuk mund të lë pa veçuar rolet e tij në filmat si , “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”, “Militanti”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel Bunker”, e në veçanti në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, që është aq i dashur për publikun shqiptar edhe sot. Së fundmi ai është rikthyer me shumë sukses në teatër në shfaqjen “Vizita e Inspektorit” me regji të regjisorit Altin Basha.”
Malaj ka luajtur krah figurave më të mëdha të filmit shqiptar. Figura ikonike të ekranit dhe teatrit të cilët janë krenaria e artit shqiptar, si Sandër Prosi, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Ndrek Luca, Timo Flloko, Kastriot Çaushi, e shumë artistë të tjerë dhe regjizorë të talentuar.
Interpretimi pranë këtyre figurave të skenës dhe filmit shqiptar, fillimisht si student i disave prej tyre, e më pas si profesionist, bëri që, me eksperiencën e tij, të krijonte një profil të spikatur si aktor.” – nënvizoi Presidenti i Republikës.
“E larmishme sigurisht, është edhe karriera e tij pranë institucionit të vetëm publik të arsimit të lartë artistik në Shqipëri, si udhëheqës artistik i teatrit të Akademisë së Arteve, Dekan i Fakultetit të Artit Skenik dhe Rektor i Universitetit të Arteve.
Me krijimtarinë e tij, punën pedagogjike dhe drejtuese në Universitetin e Arteve, Petrit Malaj është pjesë e kontributit shumëvjeçar të brezave të shumtë të aktorëve, pedagogëve e studentëve për artin shqiptar.
Shkolla e artit shqiptar ka patur dhe ka personalitete të spikatura e të shquara, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer për ta çuar atë në nivele të larta. Petrit Malaj është njëri prej tyre.
Nisur nga ajo çfarë Petrit Malaj na ka afruar, me figurat e interpretuara në skenë dhe ekran, si dhe me punën e tij pedagogjike, ai ka krijuar një portret tejet të vecantë dhe interesant, i cili përherë ka ardhur tek ne duke promovuar energji pozitive e duke na dhënë sidomos në ekran, figura plot emocion.
I uroj zotit Malaj suksese të mëtejshme në karrierën e tij artistike, i bindur se ai dhe brezi i artistëve të cilit i përket, janë shembull për të rinjtë shqiptarë që aspirojnë ekranin dhe skenat shqiptare e ndërkombëtare” – u shpreh Presidenti i Republikës.