Trump i vendosur: Nuk do ti lejojmë kurrë socialistët radikalë të na shkatërrojnë ekonominë

E mërkurë, 22 Janar 2020 10:41

Gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet çdo vit në Davos të Zvicrës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përshëndeti arritjen e dy marrëveshjeve të mëdha tregtare duke u shprehur me krenari se amerikanët po “fitojnë përsëri si kurrë më parë”.

Presidenti Trump bëri një përshkrim të atyre që i quajti fitore për punonjësit e shtresës së mesme dhe bizneset, përfshirë fazën e parë të një marrëveshjeje tregtare me Kinën dhe miratimin nga Senati të një marrëveshjeje të re tregtare me Kanadanë dhe Meksikën.

“Kur fola në këtë forum dy vjet më parë, ju thashë se kishim filluar rimëkëmbjen e madhe të Amerikës. Sot jam krenar të deklaroj se Shtetet e Bashkuara janë në mesin e një bumi ekonomik, të tillë që bota nuk ka parë kurrë më parë”, tha Trump.

Ai u bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin e tij dhe të çlirojnë qytetarët e tyre nga “burokracia shtypëse”.

Presidenti i SHBA-ve foli gjithashtu edhe mbi përqëndrimin te rritja ekonomike dhe kundërshtoi ata që i quajti “profetë të pesimizmit me parashikimet e tyre të apokalipsit”.

“Ata parashikuan një krizë të mbipopullimit në vitet ’60, uri masive në vitet ’70 dhe fundin e naftës në vitet 90. Këta alarmistë kërkojnë gjithmonë të njëjtën gjë: fuqi absolute për të dominuar, transformuar dhe kontrolluar çdo aspekt të jetës sonë. Ne nuk do t’i lejojmë kurrë socialistët radikalë të shkatërrojnë ekonominë tonë, vendin tonë ose të zhdukin lirinë tonë”, tha Trump i sigurtë.

Fjalimi i Donald Trump vjen pak orë përpara se në Senatin e SHBA të fillojë gjyqi rreth akuzave të ngritura nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët synojnë shkarkimin e tij.

 

 
Modifikuar më E mërkurë, 22 Janar 2020 16:56
Login to post comments