Një deputet i Kuvendit të Shqipërisë i është bashkuar sëfundimi Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Bëhet fjalë për deputetin e Lezhës, Gjetan Gjetani, i cili ka marrë pjesë në takimin e strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zhvilluar një ditë më parë në këtë qytet.
Gjetan Gjetani e fitoi mandatin e deputetit me siglën e Partisë Socialiste, por pas qendrimeve kritike ndaj strukturave lokale të selisë rozë, ai u përjashtua zyrtarisht nga Grupi Parlamentar i PS-së. Ai ka qendruar këto kohë në Kuvend si deputet i pavarur, duke votuar në shumë raste projektligjet e maxhorancës.
Në aktivitetin e djeshëm të LSI-së, kanë rënë në sy dhe disa figura të tjera lokale të PS-së, të cilët e kanë braktisur këtë forcë politike për t’iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Mësohet se me Lëvizjen Socialiste për Integrim janë bashkuar dhe Agustim Marku, ish-kreu i PS-së së Lezhës, po ashtu në fotografitë zyrtare ka rënë në sy edhe prania e ish-kryetarit të PS-së së Shëngjinit, Zef Mosheqaj.
Prej disa kohësh, Monika Kryemadhi ka bërë thirrje për hapjen e partisë për të rinjtë, por edhe për zërat ndryshe të politikës.
Në fjalën e saj, Kryemadhi e ka quajtur vitin 2020, si fundin e tranzicionit.
“Unë do dëshiroja që të thoja që viti 2020 jo vetëm në kuadrin e dëshirës por dhe angazhimit se , do të jetë një vit i ndryshimit, vit i shpresës. Do të jetë viti i parë i dekadës së ndryshimit. Të gjithë thonë çfarë është kjo dekadë. Dekada është ky dhjetëvjeçar i cili do të bëjë ndryshimin përfundimtar të Shqipërisë. Do të bëjë ndryshimin e tranzicionit. Shqipëria duhet të mbyllë njëherë e përgjithmonë, jo vetëm periudhën e tranzicionit, por duhet të mbyllë njëherë e përgjithmonë këtë situatë varfërie, mosfunksionim të çdo gjëje, që ka varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët dhe i ka detyruar të largohen nga Shqipëria”, ka thënë në këto takime kryetarja e LSI-së