Partia Demokratike ka denoncuar me forcë sot, emrat e kryebashkiakëve të inkriminuar, të cilët vazhdojnë të drejtojnë pushtetin lokal dhe arsyeja pse ata nuk dalin para drejtësisë është kryeministri Edi Rama.
Klevis Balliu nga selia e PD tha se Rama nuk I shkarkon pasi pasi vetëm me ata mund të qeverisë në parlament dhe në bashki.
“Edi Rama është sot mbrojtësi më i madh i trafikantëve të drogës, i falsifikatorëve, banditëve, hajdutëve, vrasësve, narkomanëve që ka emëruar në pushtetin lokal, - tha ish-deputeti demokrat. - Ky është portreti i kryebashkiakëve të denoncuar nga PD dhe media me prova dhe fakte, por asnjëri nuk ëhstë shkarkuar nga Edi Rama.
Rama nuk mbajti asnjë përgjegjësi politike për Valdrin Pjetrin e Shkodrës apo Agim Kajmakun e Vorës, ndërkohë që vazhdojnë të jenë në krye të detyrës hajdutë si Mark Babani i Vaut të Dejës, i dënuar në Greqi, Qerim Ismailaj, pengje të krimit dhe korrupsionit si Fatos Tushe i Lushnjes apo narkomanë si Lefter Alla i Bulqizës.
Të gjithë këta duhet të jenë në duart e drejtësisë, por janë akoma në krye të shtetit me vullnetin e Edi Ramës, sepse ai ka zgjedhur t’i mbrojë dhe jo t’i shkarkojë sepse vetëm me këta mund të qeverisë në parlament dhe në bashki.