2 muaj nga tërmeti, Tabaku: Shumë vende po ndihmojnë Shqipërinë, vetëm qeveria jonë s’bën asgjë

Hënë, 27 Janar 2020 16:27

Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh se dy muaj nga tërmeti, situata është katastrofike. E ftuar në A2, ajo theksoi gjatë intervistës se Shqipëria është ndihmuar në këto kohë të vështira nga shumë shtete të tjera, por jo nga qeveria e saj. “Si për çdo situatë tjetër, ka një diferencë të madhe ndërmjet asaj që ndodh në terren dhe asaj që propagandon qeveria.

Sot në terren janë mbi 10 mijë familje jashtë shtëpive të tyre, që janë hequr nga hotelet. Bonusi i qirasë nuk u mjafton. Persona që jetojnë ende nëpër çadra. Situata është katastrofike. Fokusi kryesor i PD-së ishin njerëzit, situata dhe si mund ta kalojmë atë, por kur kanë kaluar 2 muaj nga dita e tërmetit dhe situata nuk ka ndryshuar, por është përkeqësuar, sigurisht që ne nuk mund të flasim.

Propozimet tona nuk janë marrë parasysh edhe pse buxheti nuk ishte miratuar ende. Çdo vend tjetër është ngritur për të ndihmuar Shqipërinë, vetëm vendi jonë nuk po e ndihmon Shqipërinë”, tha Tabaku. Ish-deputetja e PD-së theksoi se njerëzit duan zgjidhje konkrete. “Edhe fatkeqësinë e përdorin për biznes. E vetmja gjë që të ngelte nga ligji për rindërtimin ishte tenderimi për rindërtim, të cilin ia kanë lënë në dorë mjeshtrit të tenderave, Arben Ahmetaj. Ligji për rindërtim është abuzues, mënyra si po funksionojnë është abuzuese. Të kishte rezultate te njerëzit, opozita do të fokusohej aty, por sot qytetarët janë në rrugë dhe rezultatet janë boshe”.

 
 

 
 

Login to post comments