Plotësimi i SPAK, hapet gara për 2 prokurorë të posaçëm. Ja kushtet

Tuesday, 28 Janar 2020 08:53

 Pas kërkesës së kreut të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, për emërimin e dy prokurorëve të tjerë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi këtë të hënë garën.

Kujtojmë se Struktura e Posaçme u vendos që të ngrihej me 15 prokurorë, por për shkak të procesit të vetingut, vetëm 8 arritën të plotësonin kriterin kryesor, atë të kalimit në të dyja shkallët procesin e rivlerësimit. Më herët, SPAK u plotësua edhe me dy prokurorë të tjerë, duke përdorur skemën e delegimit të përkohshëm.

“KLP ka vendosur me shumicë votash të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 2 vendeve vakante për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Njoftimi i vendeve vakante dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët do të publikohen në faqen zyrtare të KLP-së”, njoftoi dje Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktoi përkohësisht me anë të skemës së delegimeve 9 prokurorë në prokuroritë e rretheve, 6 prej të cilëve në cilësinë e drejtuesve.

KUSHTET PËR KANDIDIM

Duke iu referuar ligjit, kushtet që duhet të plotësojnë prokurorët që kandidojnë për në Prokurorinë e Posaçme janë: Të jetë prokuror i Republikës së Shqipërisë dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi. Të ketë ushtruar funksionin si prokuror për jo më pak se 10 (dhjetë) vjet, duke përfshirë edhe përvojën si prokuror i komanduar. Të përmbushë kushtet e sigurisë, përfshirë edhe kushtin se duhet të ketë dorëzuar formularë të vlefshëm të shprehjes së pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe telekomunikimeve personale, të nënshkruar prej kandidatit dhe anëtarëve të afërt të familjes dhe të ketë kaluar me vendim të formës së prerë procesin e rivlerësimit.

VLERËSIMI

Kandidatët për në SPAK do të renditen në bazë të një sistemi pikëzimi, i cili do të bazohet në performancën etike dhe profesionale të tyre. Kështu, referuar rregullores, kriteret e posaçme etike dhe profesionale për ngritjen në detyrë si prokuror i posaçëm janë: së pari, aftësitë e treguara në hetim, përfshirë përdorimin e teknikave të posaçme të hetimit dhe qasjen proaktive te hetimi në ndjekjen penale, përfshirë formulimin e akuzës dhe përfaqësimin në Gjykatë dhe në konfiskimin e produkteve të veprës penale dhe të aseteve, sipas Kodit të Procedurës Penale ose ligjit antimafia.

Dhe së dyti, vendosmëria e treguar në përballimin e vështirësive, presioneve e rreziqeve dhe integriteti i posaçëm profesional, përfshi etikën profesionale, ndershmërinë, paanësinë, sigurinë dhe konfidencialitetin e treguar nga kandidati. Kandidatët, pas vlerësimit tërësor të të dyja kritereve, etik dhe profesional, do të renditen në kualifikim të lartë, të mesëm dhe të ulët.

PROKURORET E DELEGUAR NE RRETHE NGA KLP

1. Brahim Dragjoshi, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.
2.Albert Murçaj, në pozicionin e drejtuesit të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
3.Lorenc Mërkuri, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.
4.Erion Çela, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.
5.Ludovik Doda, në pozicionin e drejtuesit Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
6.Lazër Çardaku, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.
7.Afredita Ndoi, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
8.Asllan Bajramaj, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet.
9.Ylli Pjetërnikaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Modifikuar më Tuesday, 28 Janar 2020 08:56
Login to post comments