Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Universitetin e Sporteve të Tiranës, ku së bashku me një grup të madh studentësh, si dhe pedagogë të tyre, mori pjesë në seancën e dhurimit të gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për të rinjtë e angazhuar vullnetarisht për të dhënë kontributin e tyre humanist për këtë kauzë fisnike, duke e vlerësuar aktin e tyre si ndjenjë të lartë përgjegjshmërie shoqërore.
Njëkohësisht Kreu i Shtetit falënderoi futbollistin e shquar, Andi Lila dhe Sindikatën e Futbollistëve të Shqipërisë, që u bënë promotorët e kësaj seance dhurimi gjaku.
“Universiteti i Sporteve i Tiranës, është i vetmi institucion i lartë i këtij lloji, që përgatit mësuesit e edukimit fizik dhe specialistët e sportit, dhe më vjen mirë që vullnetarisht ju i bashkoheni kësaj kauze humane, për më tepër duke dhuruar gjak sportisësh, që për shkak të përgatitjes suaj fizike është shumë cilësor.
Me këtë akt fisnik ju i jepni nder, jo vetëm sportit, por edhe Universitetit Tuaj, nga i cili kanë dalë shumë figura të shquara të sportit shqiptar, që e kanë lartësuar emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare.
Dhurimi i gjakut është një proces 100% i sigurtë dhe tepër i shëndetshëm, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat, të cilët unë besoj do vijojnë me vullnetarizëm të bëhen edhe promovuesit kryesorë të kësaj Aleance dhe të këtij solidariteti njerëzor.
Shoqëria jonë ka nevojë të nxisë vullnetarizmin në kauzën e dhurimit të gjakut dhe për kauza të tjera sociale. Të rinjtë janë ata që mund të bëjnë ndryshim të madh me energjinë dhe me kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.
Të forcojmë solidaritetin shoqëror dhe vullnetarizmin, për të mbështetur këdo që ka nevojë për ndihmë!
Një falenderim të veçantë kam për futbollistin e shquar, Andi Lila dhe Sindikatën e Futbollistëve të Shqipërisë, që u bënë promotorët e kësaj seance dhurimi gjaku”, – tha Presidenti Meta.