Meta me mesazh të fortë: Nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan, si përpara një fletoreje vizatimi

E Enjte, 30 Janar 2020 14:49

"Nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan dhe kudo tjetër, si përpara një fletoreje vizatimi." - Kjo qe deklarata e fuqishme dhe me nëntekst të qartë, që bëri sot kreu i shtetit Ilir Meta nga veprimtaria e Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” me temë: “Paqja si udhë shprese: dialog, pajtim dhe kthesë ekologjike”

"Paqja nuk izolohet nga kufijtë, - theksoi Meta. - Ndaj duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të matur për ta ruajtur atë edhe në rajonin tonë, që i ka ende të freskëta plagët e gjenocidit dhe konflikteve etnike e fetare. E rëndësishme është të kuptojmë se e ardhmja është vetëm bashkëjetesa.

Nuk mund të luhet me kufijtë në Ballkan dhe kudo tjetër, si përpara një fletoreje vizatimi. Të punojmë të gjithë, jo për ndryshim të kufijve, por për heqje të tyre, për partneritet të plotë, në pozita të barabarta, me një angazhim të përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, sa më shpejt të jetë e mundur."

Mesazhi i Metës vjen në vazhdën e debateve të forta në vendin tonë, Kosovë, Europë e më gjërë për tezën e shkëmbimit të kufijve Serbi - Kosovë.

Login to post comments