Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ka vizituar zonat e prekura nga tërmeti në Durrës.
Ajo shprehu sensibilizimin me këta banorë dhe theksoi se administrata amerikane ka dhënë kontributin e saj dhe do të vijojë të ndihmojë në procesin e rindërtimit.
Yuri Kim: Ne donim të vinim këtu për t'i shprehur solidaritetin popullit të Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit. Miqtë festojnë së bashku por është më e rëndësishme që ata të ndihmojnë njëri-tjetrin kur kanë nevojë. Kam ardhur për të parë jo vetëm dëmet por edhe përpjekjet që po bëhen për të rikuperuar dëmet. Ju jeni miqtë e Amerikës, ndihma jonë erdhi menjëherë pas fatkeqësisë. U preka shumë kur pashë kontributet që ne po japim dhe ne jemi shumë krenarë që në kutitë e ndihmave tregohet që kjo është një dhuratë nga populli amerikan. Ushtarakët tanë kanë pasur mundësi të ndihmojë ndërsa përveç atyre që ndihmuan për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat ne sollëm edhe ekspertë.
Më herët gjatë ditës ambasadorja zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama.
“Takimi i mirëseardhjes së ambasadores amerikane Yuri Kim me fokus në prioritetet e përbashkëta si dy vende aleate. Koinçidencë e bukur mbledhja e mëpastajme e qeverisë, u kaluam paketën AntiKÇK&Ligjin Special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar." shkruan Rama në Twitter.
"Në vizitën e sotme prezantuese me Kryeministrin Rama, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim pati mundësinë të përvijojë prioritetet e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri: të ndihmojë Shqipërinë për tu bërë një aleate më e aftë në NATO dhe një bastion më i fortë sigurie; mbështetje për zhvillimin demokratik dhe sigurimin e zbatimit të duhur të reformave në drejtësi; dhe rritjen e mundësive të biznesit për shqiptarët dhe amerikanët. Ajo falenderoi Kryeministrin për përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë në çuarjen përpara të prioriteteve tona të përbashkëta" informoi ambasada.