Duke reaguar për miratimin nga ana e qeverisë të së ashtuquajturës paketa anti-KÇK, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shkruan se me një VKM iu dha një shkelm i rëndë reformës në drejtësi, ndërsa tre pushtetet sipas tij bashkohen dhe bëhen një.
Manjani kujton edhe një deklaratë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi kohë më parë, kur thoshte se nuk “ka burrë nëne që të vendosë më diktaturën në Shqipëri”.
Manjani thotë se që prej sot, Shqipëria është Republikë e KÇK.
Reagimi i plotë i Manjanit:
RIP Republikës Kushtetuese!
=========
Nuk e di përse mu kujtua deklarata e Gramoz Ruçit ditën e votimeve moniste lokale. Ai tha në tekst “… Nuk ka burrë nëne të shpallë diktaturën..”
Sot, me VKM, qeveria ka vendosur të nxjerrë nga funksioni Kushtetutën dhe ligjet e miratuara nga Parlamenti.
Me një vendim, me shumë gjasë pa votim si gjithnjë, qeveria ngarkon Policinë e Shtetit me funksione që Kushtetuta dhe ligjet ja kanë dhënë pushtetit të pavarur të drejtësisë.
Një tufë ministrash, vartës të Kryeministrit i kanë dhënë vetes të drejtën të ndryshojnë parime të shenjta të procedimit penal. Parime të cilat garantojnë të drejtat kushtetuese të shtetasve të këtij shteti.
Nuk e çuan as formalisht për miratim si projekt ligj në Parlamentin, të cilin e zotërojnë plotësisht. Përkundrazi e bënë ligj me fuqi të menjëhershme duke e anashkaluar hierarkinë dhe detyrat e ndara kushtetuese.
Më një VKM i futën një shkelm të rëndë reformës në drejtësi, ligjet e së cilës megjithse problematike ishin të miratuara rregullisht me shumicë të cilësuar parlamentare.
Me një VKM vendosen menjëherë nën zap, gjykatës, prokurorë e të tjerë “të pabindur” që nuk ndjekin urdhrat e qeverisë.
Me një VKM u bashkuan formalisht të tre pushtetet e ndara në një dorë të vetme.
Me të njëjtën VKM i uruan “mirseardhjen” edhe të shumëpriturës ambasadore të SHBA, si për t’i kujtuar se nuk para e qethin për reformën e as për sundimin e ligjit.
Unë nuk kisha e as kam asnjë iluzion, por desha të sjell në vëmendje deklaratën e Gramozit, përfaqësuesit më të lartë të pushtetit politik në vend!
Paska pra “bir dhe burrë nëne” që mund të bëjë ç’të dojë me vendin e vet. Me kushtetutën, shtetin e popullin.
Ajo që s’kuptoj dot është se përse nuk flet më Gramozi, Kryetar i Parlamentit. Vendit ku bëhen ligjet dhe zgjidhet qeveria.
Të rrojmë e ka kujtojmë Republikën Kushtetuese të Shqipërisë!
Që sot e kemi Republikë të KÇK.