“E kundërta e paqes nuk është lufta, por egocentrizmi”.Këtë mesazh të fortë ka përcjellë sot, Presidenti Ilir Meta, jo thënë prej tij, por përzgjedhur nga një predikim i Kryepeshkopit Anastas Janullatos, me të cilin është takuar. Meta tregon në Fb:
"Kënaqësi të vizitoja sot dy ambientet e reja në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, sallën e pagëzimit dhe atë të edukimit dhe socializimit të të rinjve.
Edukimi i brezit të ri me mësimet e shenjta për paqen, dashurinë dhe jetën, nuk prekin vetëm zemrat e mendjet e besimtarëve brenda mureve të kishës, por janë mesazhe aktuale, sidomos për fëmijët e të rinjtë tanë, për t’i mbajtur larg veseve dhe “sëmundjeve të kohëve moderne” siç janë droga, bixhozi, alkooli dhe egoizmi. Me të drejtë Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos predikon se: “E kundërta e paqes nuk është lufta, por egocentrizmi”.
Mirënjohje dhe falenderim të veçantë për Kishën Ortodokse Autoqefale për kontributet dhe përkushtimin e veçantë për dekurajimin e fenomenit të shpopullimit të vendit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së shpresës dhe promovimit të vlerave tona më të mira kombëtare, te fëmijët dhe të rinjtë tanë," përfundon kreu i shtetit.