Paketa anti-shpifje e qeverisë shqiptare shkon sërish në Komisionin e Venecias. Këtë herë bëhet fjalë për qëndrimet e OSBE-së për dy ligjet e mediave, të kthyera në Kuvend nga Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe të kundërshtuara nga gazetarët në Shqipëri.
Përfaqësues i OSBE-së për lirinë e medias Harlem Desir shkruan në “Twitter” se kjo është një mundësi e mirë për të bërë përmirësime të tjera në këtë paketë para votimit në parlament.
“Kam dërguar në Komisionin e Venecias rishikimet tona ligjore mbi projektligjet e Shqipërisë për Median Audiovizuale dhe Komunikimet Elektronike, pasi Parlamenti shtyu votimin javën e kaluar. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të bërë përmirësime të mëtejshme para një votimi të ri të Parlamentit”, shkruan Desir.
Kujtojmë se paketa “Anti-Shpifje” ka ngjallur reagime dhe përplasje të forta në Shqipëri, pasi është kundërshtuar nga opozita, analistët, gazetarët e shoqëria civile, të cilët e shohin paketën si cenim të fjalës së lirë dhe kontroll të qeverisë ndaj mediave.