Në Tiranë ka mbërritur një delegacion i lartë i Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës. Burimet bëjnë të ditur se delegacioni i lartë vjen në Tiranë me ftesë të Presidentit Ilir Meta. Delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE do të zhvillojë sot një takim me Presidentin Meta.
Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që një delegacion i nivelit të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale vjen në Shqipëri.
Kongresi i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës refuzoi të monitoronte zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Po ashtu vizita në Tiranë vjen fill pas evidentimit të një numri të madh kryebashkiakësh me precedentë penalë.
Këshilli i Europës, organizata lider në kontinent për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, arriti të zmbrapsë deri diku një nismë të kryeministrit Edi Rama për të vënën nën kontroll median. KiE e dërgoi në Komisionin e Venecias atë që njihet si ‘paketa antishpifje’ e Edi Ramës.
Disa muaj më parë, KiE i tha një tjetër ‘shuplakë’ Edi Ramës, kur anuloi pjesëmarrjen në vëzhgimin e votimeve të 30 qershorit. Drejtuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës thanë se nuk do dërgojnë delegacion vëzhgues në Shqipëri. Goditja e fortë merrte kuptim pasi vlerësimi politik i zgjedhjeve lokale bëhet pikërisht prej tyre. Në vend ngeli misioni i ODIHR, që bëri vlerësimin e zgjedhjeve, duke i quajtur në çdo pikë skandaloze.