Akuza e tension gjatë fjalës/ Trump nuk i jep dorën, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve i gris fjalimin

E mërkurë, 05 February 2020 08:39

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mbajti fjalimin tradicional për gjendjen e vendit në një klimë të tensionuar në Uashington, një ditë para votimit në Senati për shkarkimin ose jo të tij.

Por Presidenti Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme se kurrë dhe u përqendrua tek sukseset e administratës së tij. Megjithatë për çështjet ku republikanët dhe demokratët janë në skaje të kundërta, qëndrimet e tij nuk ofruan një emërues të përbashkët.

Dy vështrime të ndryshme për ekonominë

Presidenti Donald Trump e hapi fjalimin me një mesazh optimist:

“Tregu i vendeve të punës është rritur, varfëria po fundoset, krimi po bie, besimi po rikthehet dhe vendi ynë po lulëzon dhe po gëzon respekt të madh përsëri! Armiqtë e Amerikës janë në arrati, mirëqenia e Amerikës është në rritje dhe e ardhmja e Amerikës është e shkëlqyer”, tha ai, para se të deklaronte se gjendja e vendit është “më e fuqishme se kurrë”.

Ndërsa republikanët brohorisnin “katër vjet të tjerë”, një kujtesë se të dyja palët e kanë kthyer vështrimin nga zgjedhjet e nëntorit, Presidenti Trump foli për një papunësi të ulët rekord, veçanërisht mes afrikano-amerikanëve, grave dhe veteranëve.

“Unë i mbaj premtimet. Vetëm në tre vjet, e kemi asgjësuar mentalitetin se Amerika është në rënie dhe e kemi hedhur poshtë tkurrjen e fatit të Amerikës. Po ecim përpara me një ritëm që ishte i paimagjinueshëm vetëm pak kohë më parë dhe nuk do të kthehemi më kurrë mbrapsht”, tha ai.

Por disa nga pretendimet e Presidentit Trump si për shembull se Shtetet e Bashkuara janë bërë prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit natyror dhe se sektori i prodhimit është rritur nën administratën e tij, u hodhën poshtë nga kontrolli i fakteve kryer nga agjencia e lajmeve AP.

Dhe përgjigjia e demokratëve u përqendrua pikërisht tek ekonomia.

Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer që foli në emër të partisë së saj tha se “punëtorët amerikanë po vuajnë”.

“Miliona vetë mezi po ia dalin ose nuk kanë para që të mbarojnë muajin, pasi paguajnë për transportin, borxhet studentore dhe ilaçet. Kështuqë kur presidenti thotë që ekonomia është e fortë, pyetja ime është: e fortë për kë?”, tha ajo.

Trump foli gjithashtu për politikat e tij tregëtare, të cilat tha ai po e forcojnë Amerikën.

“Para disa ditësh ne nënshkruam një marrëveshje të re të pashembullt me Kinën që do t’i mbrojë punëtorët tanë, pronën tonë intelektuale, do të sjellë miliarda dollarë në thesarin tonë dhe do të hapë tregje të reja për produkte të prodhuara pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Presidenti tha se administrata e tij ka investuar 2.2 trilionë dollarë në ushtri, përfshirë krijimin e degës së re të quajtur Forca Hapësinore, si edhe se aleatët e NATO-s po paguajnë tani pjesën që u takon për mbrojtje.

Politika e jashtme

Një nga momentet kur të dyja palët duartrokitën ishte kur Trump prezantoi udhëheqësin venezualian të opozitës Juan Guaido që ishte në galerinë e të ftuarve, duke e quajtur udhëheqësin legjitim të vendit.

Duke folur për Lindjen e Mesme, Trump tha se 100 për qind kalifatit të Shtetit Islamik është shkatërruar, duke përmendur vrasjen e udhëheqësit të grupit, Abu Bakar al-Baghdadi dhe kryegjeneralit iranuan Qassem Soleimani.

“Mesazhi ynë ndaj terroristëve është i qartë: nuk do t’i shpëtoni kurrë drejtësisë amerikane. Nëse sulmoni qytetarët tanë, e paguani me jetën tuaj”, tha ai.

Por një raport i fundit i zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes dhe zbulimit thotë se operacioni që vrau al al-Baghdadin në Siri, tetorin e kaluar, pothuajse nuk e ka frenuar fare grupin.

Agjencia e Zbulimit e Departamentit të Mbrojtjes analizon se struktura e komandës dhe strukturës e organizatës si edhe shumë nga rrjetet e saj klandestine mbeten të paprekura.

Presidenti tha se është në dorën e regjimit iranian që të heqë dorë ose jo nga synimi për të prodhuar armë bërthamore dhe për të ndalur përhapjen e terrorit, duke i ofruar ndihmë për të mëkëmbur ekonominë nëse bashkëpunon.

Procesi i shkarkimit, i papërmendur por i pranishëm

Është e pamundur ta shkëpusësh fjalimin e presidentit Trump nga momenti kur ai u mbajt, një ditë para se të votohet nëse do të shkarkohet ose jo dhe në një vit zgjedhjesh.

Është praktikisht e sigurt që senatorët do ta lirojnë Presidentin nga akuzat e shpërdorimit të pushtetit dhe pengimit të drejtësisë pasi partia e tij republikane ka shumicën në Senat, ndërkohë që për shkarkimin e një presidenti kërkohet një shumicë prej dy të tretat e votave.

Presidenti nuk e përmendi procesin e shkarkimit dhe ndoshta vetëm një fjali, mund të interpretohet sikur i referohej atij.

“Të vetmet fitore që kanë rëndësi në Uashington, janë ato që japin rezultate për popullin amerikan”, tha Trump.

Por tensioni ishte i dukshëm me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi – udhëheqësja më e lartë demokrate që drejtoi procesin e shkarkimit – ulur pas tij.

Të dy kundërshtarët politikë nuk ishin takuar prej muajsh.

Në fillim Presidenti Trump i dha kopjen e fjalimit zonjës Pelosi, por nuk ia dha dorën, ndërsa ajo zgjaste të sajën. Pelosi vetëm pak sekonda më pas, prezantoi Presidentin pa përdorur shprehjen tradicionale “është një nder dhe kënaqësi e veçantë të prezantoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara” dhe në fund të fjalimit, ajo grisi kopjen e saj ndërsa presidenti ishte në podium.pelosi

Bill Sweeney, profesor në Universitetin Amerikan tha se ishte fjalimi më partiak që kishte dëgjuar ndonjëherë.

“Veprimet e tij, fakti që nuk i dha dorën zonjës Pelosi. Prezantimi që i bëri kryetarja Pelosi, duke mos thënë disa nga fjalët që janë taditë dhe pastaj kur shihje republikanët brohorisnin në çdo moment dhe demokratët rrinin ulur. Nuk ishte fjalim për gjendjen e vendit. Ishte fjalim për rizgjedhje”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Me një sy nga zgjedhjet e nëntorit

Për çështjet ku të dyja palët janë më të polarizuara, qëndrimet e Trump, binin pa mëdyshje në qendër të pozicioneve republikane.

Kështu ishte për shembull çështja e imigracionit.

Presidenti Trump akuzoi “politikanët” radikalë, që u japin strehë të sigurt “të huajve të paligjshëm kriminelë”.

“Nëse hyni ilegalisht, do të dëboheni menjëherë”, tha ai.

Ai tha se duhet të reformohet sistemi i imigracionit, në favor të një sistemi merite.

Ai premtoi gjithashtu se do ta mbrojë gjithmonë Amendamentit e Dytë për të drejtën e armëmbajtjes që ai thotë se është nën sulm.

Dhe në galerinë e të ftuarve ishte personaliteti konservator i medias, Rush Limbaugh, i cili sapo ka njoftuar se është me kancer dhe të cilin Trump e nderoi me medaljen e lirisë.  Limbaugh shihet nga liberalët dhe demokratët si dikush që ngjall gjuhën e urrejtjes.

“Mendoj se mesazhi i tij ishte efektiv për bazën e tij. Por baza nuk është shumica e popullit amerikan”, tha profesor Sweeney.

Sondazhi i fundit i organizatës Gallup tregon se baza republikane është në masë dërrmuese me Trump dhe se madje procesi i shkarkimit mund t’ia ketë forcuar pozitat. Rezultatet që dolën të martën tregojnë se 94 për qind e republikanëve e miratojnë punën e tij, 6 për qind më shumë sesa një muaj më parë. Dhe megjithëse shkalla e miratimit në nivel kombëtar, 49 për qind e bën Presidentin Trump të parin që nuk e ka arritur kurrë 50 për qindshin, kjo shifër është tre për qind më e lartë sesa mbështetja e ish-Presidentit Barack Obama në të njëjtën periudhë të presidencës. Shifra e mëparshme më e lartë për  Trump ishte 46 për qind në prill të vitit të kaluar. 

Login to post comments