Studentët e Vlorës denoncojnë praninë e materialit kancerogjen në ambientet ku jetojnë. Në një video të publikuar nga ish-deputeti i PD Fatbardh Kadilli, një studente e universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, në emër të studentëve tregon se konvikti i djemve është i mbuluar nga material asbesti, një material që shkakton kancer.
Ndërkohë që thotë se vetëm pak ditë më parë kryeministri Edi Rama ishte në Vlorë për të inauguruar këtë konvikt, studentja pyet kryeministrin a ka vlerë jeta e tyre?!
“Jemi studentë të universitetit ‘Ismail Qemali’ Vlorë, ndodhemi në qendrën studentore të qytetit të Vlorës. Këtu para disa ditësh kryeministri inauguroi fasadën e këtij objekti, i cili është konvikti i gocave, ndërkohë që në krahun tjetër ndodhet konvikti i çunave. Është i mbuluar nga një shtresë asbesti ku jetojnë dhjetëra studentë, të cilëve iu rrezikohet jeta dhe shëndeti, nga një material i rrezikshëm siç është asbesti, i cili është vërtetuar se shkakton kancer. Shtrohet pyetja zoti kryeministër: A ka vlerë jeta jonë apo është më e rëndësishme propaganda e fasadave?”, shprehet studentja.
Ndërkohë ish-deputeti Kadilli shkruan se në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër sëmundjes së kancerit, vjen ky denoncim nga Vlora.
“Studentja vlonjate denoncon rrezikun që kanos studentët. Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër sëmundjes së kancerit, vjen ky denoncim nga Vlora. Rama inauguron lyerjen e fasadave, por nuk largon materialin kancerogjen nga çatia e konviktit”, shkruan Kadilli.