Meta ngrihet në këmbë për gratë shkencëtare: Dëshira ime ka qenë të bëhesha pedagog, kap gabimet që s’i kapin as këshilltarët

Tuesday, 11 February 2020 14:46

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur në Presidencë gra dhe vajza në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Meta i bëri thirrje të rinjve që të mos heqin dorë nga shkencat ekzakte, sepse ato do t’i japin një hap cilësor në jetë.

Gjithashtu Presidenti Meta u shpreh se edukimi cilësor që do na japë një barazi të vërtetë gjinore, ndërsa theksoi se sistemi komunist i kushtoi një vëmendje të madhe shkencave ekzakte, ku në pak kohë u ndërtua një sistem funksional i qëndrueshëm si revolucioni teknologjik i vendit.

“Kam një apel për të rinjtë. Të mos keni frikën nga matematika, as fizika, as kimia dhe nga të gjitha degët e tjera sepse ato mund të bëhen instrumentet më të fuqishëm tuajat për të pasur një hap cilësor në jetën tuaj.

E vetmja rrugë për të arritur objektiva të qëndrueshëm është edukimi cilësor që do na japë një barazi të vërtetë gjinore. Dita e grave dhe vajzave në shkencë ka të bëjë me gjysmën më të rëndësishme në shoqëri.

Nënat kanë një rol më të rëndësishëm se baballarët për fëmijët.

Po të mësohet çdo ditë nga pak matematikë, fizikë unë jam i sigurtë që ato janë shumë të lehta dhe të thjeshta.

Mirënjohje dhe përshëndetje për të gjithë mësuesit sepse unë të dy prindërit i kam pasur mësues. Puna juaj është e jashtëzakonshme sidomos e këtyre fushave.

Mund të themi 100 të zeza për sistemin komunist në drejtime të ndryshe, por duhet të pranojmë dhe një fakt që në një kohë të shkurtër u ndërtua një sistem funksional i qëndrueshëm ku i kushtohej vëmendje e jashtëzakonshme studimit ku dolën shkencëtarë të rëndësishëm. Mjafton të kujtojmë revolucionin teknologjik të vendit”, tha Presidenti Meta.

Modifikuar më Tuesday, 11 February 2020 14:55
Login to post comments