Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazement Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Rama se ka lëvizur dje me një makinë të blinduar private që, sipas Bardhit i përket Olsi Ramës.
Me një shënim në facebook, ndërsa poston një video të kryeministrit Rama, Bardhi shkruan se automjeti “është i paprekshëm nga policia”, ndërsa i drejton pyetjen: Në çfarë aferash është përfshirë dhe çfarë e rrezikon Olsi Ramën, që është detyruar të përdorë një makinë të blinduar, e ndërtuar për të përballuar plumbat?!
Postimi i plotë:
Edi Rama lëvizi dje me një fuoristradë të blinduar private, në shkelje të shumë rregullave shtetërore. Makina private, “Lincoln” e blinduar, me targën TR 0370 T, me të cilin u largua Rama nga Partia Socialiste është automjeti privat i Olsi Ramës. Si i tillë, automjeti është i paprekshëm nga Policia, njësoj si Audi AA 003 GB i Saimir Tahirit, me të cilin lëviznin lirshëm trafikantët e drogës të bandës së Habilajve.
Duke qenë se OFL e Edi Ramës po mburret me ndalimin e mjeteve të blinduara, pse nuk e ndalon për verifikim edhe Lincolnin e blinduar të Olsi Ramës, që përdoret në shkelje të ligjit nga i vëllai Kryeministër?
Ndërsa Edi dhe Olsi Rama duhet të japin vetë përgjigje për një pyetje të thjeshtë: Në çfarë aferash është përfshirë dhe çfarë e rrezikon Olsi Ramën, që është detyruar të përdorë një makinë të blinduar, e ndërtuar për të përballuar plumbat?!