Policia italiane ka vënë në pranga mbrëmjen e djeshme një shtetas shqiptar 45-vjeçar, me precedent të mëparshëm penale, për trafikim droge.
Shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë i ditur ishte me një makinë me targa gjermane. Kur u ndalua nga kontrolli rutinë dhe u pyet për arsyen e udhëtimit, burri nuk ishte në gjendje ta justifikonte atë, çka rriti dyshimet e policisë.
Madje policia bën me dije se makina që kishte shqiptari në posedim, nuk ishte në emrin e tij.
Pas një kontrolli të detajuar të makinës, policia gjeti tetë pako kokainë të mbështjella me celofan dhe të vulosura me shirit izolues. Pesha e kokainës shkonte në total 8.5 kg kilogramë.
Burri tani është transferuar në burgun e Bolzanos, kurse droga u konfiskua dhe u dërgua në Laboratorin e Analizave të Substancave të Policisë së Laives.