Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç se shkëmbimi i territoreve i leverdiste Serbisë. Sipas Berishës, 'serbomadhi Vuçiç u heq maskën argatëve të tij, Esad Toptani i Ri, Miladinit Shqipfolës dhe Baton Stanishiqit!'
POSTIMI I BERISHES
Miq, Nacionalisti Vuçiç deklaroi dje se shkëmbimi i territoreve, de fakto ndarja e Kosovës dhe zmadhimi i Serbisë me territore të Kosovës ishte interesi i Serbisë së Madhe.
Për dy vite me radhë Trojka famëzezë tradhtare e argatëve të tij në Tiranë dhe Prishtinë, Esad Toptani i Ri, Miladini Shqipfolës, Baton Stanishiqi, e shitën për publikun shqiptar projektin e Serbomadhisë si një projekt të tyre dhe që i intereson Kosovës?!
Lexoni ju lutem deklaratën e padronit të tyre, e cila fakton se argatët po punonin për projektin e tij dhe kundër Kosovës. Kjo në çdo fjalor të botës së qytetëruar ka vetëm një emër, quhet Tradhti! Ata që e kryejnë një akt të tillë, d.m.th që ndihmojnë armikun, kundërshtarin, quhen tradhtarë!
Vuçiç del hapur: Shkëmbimi i territoreve i leverdiste Serbisë
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tani e thotë publikisht se ndryshe nga sa u paraqitej shqiptarëve, plani për ndarjen e Kosovës i leverdiste Beogradit. Ai deklaroi mbrëmjen e së hënës se Serbia e ka humbur rastin për të arritur kompromis me Prishtinën dhe se do të paguajë çmimin në të ardhmen.
Duke folur për çështjen e shkëmbimit të territoreve, ai tha se e kuptoi që “serbët kurrë nuk do ta pranonin diçka që në fakt ishte shansi i tyre dhe për këtë, do të pendoheshin”.
“E kuptova porosinë e njerëzve, ishte një shans i shkëlqyeshëm për ne, por e humbëm atë”, tha Vuçic për TV Happy.
Kreu i shtetit serb shtoi se për këtë çështje do të bëhet edhe më të keq në të ardhmen, por mendon se ai vetë është i zhveshur nga përgjegjësitë.
“Unë do ta mbroj popullin serb, por mbajini mend fjalët e mia edhe për 20 vjet: kemi pasur një shans, por nuk kemi pasur vetëdije dhe mençuri të mjaftueshme”, tha ai.
Në intervistën për ‘Tv Happy’, ai ka aluduar se nuk ishte Ramush Haradinaj por një shtet i fuqishëm evropian që e mbështeti atë për të vendosur taksën me synimin për të larguar Serbinë nga dialogu në momentin kur arritja e një marrëveshje finale kompromisi ishte gati.
Siç ka shpjeguar ai si pjesë e ndarjes që planifikohej ishte që Serbia të merrte pjesën e Veriut të Kosovës dhe Anamoravën, megjithatë një gjë e tillë ishte pa mundësuar nga zhvillimet pas vendosjes së taksës.
“Amerikanë kanë kundërshtuar më zëshëm sesa Evropianët gjatë gjithë kohës. Është e pamundur që shqiptarët ta bënin një gjë të tillë pa mbështetjen e dikujt. Sigurisht, shqiptarët kanë pasur mbështetjen e shumicës së fuqive evropiane, për ta larguar Serbinë nga dialogu, në mënyrë që Serbia të mos arrijë të kërkojë as Veriun e Kosovës, Anamoravën, apo ndonjë gjë tjetër. Pra për të çuar para ndonjë plan nga i cili Serbia do të merrte diçka”, ka thënë Vuçiç.
Menjëherë pas këtij emisioni TV ka reaguar shkrimtari dhe gazetari Veton Surroi.
“Konfirmim i presidentit të Serbisë se ishte krejtësisht afër realizimi i ndarjes së Kosovës. Tash del se pos komunave të veriut ishin në lojë edhe ato të lindjes në Kosovë.
Është sikur ta shohësh një thriller që përshkruan çmontimin e një bombe” shkroi ai në Facebookun e tij.
Në trojet shqiptare këtë plan të Vuçiçit e mbrojtën Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Presidenti kosovar u mundua ta shesë atë si një përpjekje për të bashkuar luginën e Preshevës me Kosovën, ndërsa kryeministri shqiptar deklaroi se mundësi të tilla mund të të vijnë njëherë në 100 vjet.