Presidenti Ilir Meta ka takuar sot ambasadoren e Kanadasë, Alexandra Bugailiskis.
Me një shënim në facebook, Presidenti Meta ka shpërndarë foto nga takimi, ndërsa shkruan se prioritete të asistencës së qeverisë kanadeze për Shqipërinë janë mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Kreu i Shtetit bën me dije se i kërkoi ambasadores së Kanadasë ratifikimin e Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore, që, sipas Metës ,do të ndihmonte shumë komunitetin shqiptar në Kanada.
Postimi i plotë:
Shumë i lumtur të prisja sot Ambasadoren e Kanadasë, Sh.E.Znj Alexandra Bugailiskis. Falenderova Ambasadoren që prioritete të asistencës së qeverisë së saj për Shqipërinë janë mbrojtja e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Vlerësova bashkëpunimin në fushën politike dhe atë të sigurisë në kuadër të NATO-s dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Inkurajova për më shumë investime kanadeze në Shqipëri. Shpreha mirënjohjen e thellë për integrimin model të diasporës shqiptare në Kanada. Kërkova sa më shpejt ratifikimin e Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore, që do të ndihmonte shumë komunitetin shqiptar në Kanada. Shpreha bindjen se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona do të forcohen edhe më shumë në të ardhmen.