Ish-ministri i Arsimit në kohën e PD, Genc Pollo, kujton sot 29-vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha.
Pollo shkruan në “Facebook” se “përtej euforisë së momentit kjo simbolikë si dhe përvjetori i ngjarjes na ndihmon të kuptojmë që ashtu si triumfi i të Mirës ndaj të Keqes nuk është akt përfundimtar por një luftë e përhershme që bëhet përditë edhe me gjëra të vogla po ashtu edhe liria fitohet, mbahet e zhvillohet përditë me luftë e përpjekje të vazhdueshme”.
Mesazhi i Pollos:
Gati tre dekada kanë kaluar që nga rrëzimi i statujës mbidimensionale të Enver Hoxhës. Atë ditë për popullin pjesëmarrës në akt apo spektator në distancë ky ishte një akt çlirues. Në vijim rrëzimi i statujës ruajti në psikën kolektive të shqiptarëve simbolikën e fuqishme të akteve të ngashme ku triumfon e Mira ndaj të Keqes. Si p.sh. mundja e Goliatit nga Davidi.
Por përtej euforisë së momentit kjo simbolikë si dhe përvjetori i ngjarjes na ndihmon të kuptojmë që ashtu si triumfi i të Mirës ndaj të Keqes nuk është akt përfundimtar por një luftë e përhershme që bëhet përditë edhe me gjëra të vogla po ashtu edhe liria fitohet, mbahet e zhvillohet përditë me luftë e përpjekje të vazhdueshme; jo gjithmonë heroike, shpesh prozaike. Kjo vlen edhe për shtetin ligjor, të drejtat e njeriut e demokracinë. Sidomos sot me kur po përballemi me rilindjen e regjimit. GP