“Kemi të bëjmë me falsifikim”, këshilltari i Metës: Po përgatisim kallëzimin shtesë për SPAK. Meta: Po bëhem hetues vullnetar

E Enjte, 20 February 2020 17:46

Këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës Bledar Dervishaj ka treguar sot mënyrën se si kanë vepruar institucionet e drejtuara nga maxhoranca për çështjen e Gjykatës Kushtetuese.


Në një monitor gjigand të vendosur para gazetarëve, Dervishaj ka shpjeguar se si ka qenë sekretari i Ministrisë së Drejtësisë ai që shkresën e KED e ka dërguar për botim në Fletoren Zyrtare duke shkelur ligjin.

Duke iu referuar përgjigjes nga Qendra e Botimeve Zyrtare dhe më pas numrit të protokollit të shkresës së Ministrisë së Drejtësisë për Kuvendin dhe Kuvendit për QBZ, ai tha se kjo nuk është lajthitje por falsifikim. Dervishaj ka deklaruar se po bëhet gati kallëzimi shtesë për SPAK dhe se prokuroria duhet të veprojë.

 

“Si morëm ne dijeni për këto shkelje të ligjit. Më 17 shkurt ne iu drejtuam QBZ për të marrë një informacion pasi para anëtarëve të Komisionit të Venecias, Dvorani ka deklaruar se nuk e ka dërguar ai aktin. I kërkuam QBZ mënyrën e administrimit të kërkesës, shoqëruar me praktikën e plotë. Pas konferencës së djeshme QBZ është përgjigjur duke komunikuar se vendimi shoqëruar me praktikën është dërguar për t’u botuar nga Ministria e Drejtësisë, nga ana e institucionit tonë nuk ka pasur komunikim me KED.

Ministria e Drejtësisë e ka përcjellë për botim aktin pa marrë ende njoftim nga Kuvendit dhe letra e Kuvendit ka ardhur vetëm në mbështetje të Ministrisë së Drejtësisë. Kemi të bëjmë me lajthitje? Jo më keq se kaq, falsifikim. Presidenti po përgatit kallëzimin shtesë për SPAK. Është prokuroria që duhet të ketë fjalën dhe duhet të marrë në pyetje personat e përfshirë në këtë çështje”, deklaroi Dervishaj.

Pas tij ka marrë fjalën Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili u vetëofrua të bëhet hetues i SPAK. “Si pres i Republikës po bëhem hetues vullnetar i SPAK pa pagesë pa shpërblim. Z. Dervishaj ka qenë në çdo mbledhje të KED nga e para tek e fundit. Betohu që po thua të vërtetën”, u shpreh Meta ndër të tjera.

Login to post comments