Bashkimi Europian me të gjithë strukturat e tij do ta monitorojë zbatimin e paketës anti-KÇK në Shqipëri. Nëse konstatohet se ligjet shkelin të drejtat e njeriut, qeverisë do t’i kërkohet ndryshimi i tyre. Këtë e konfirmon për A2, Isabel Santos, raportuesja për Shqipërinë në Parlametin Europian: “Sigurisht që qeveria dhe Parlamenti kanë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për ligjet dhe aktet legjislative. Ne do ta ndjekim zbatimin e ligjit. Nëse në ndonjë moment do të vërejmë se të drejtat e njeriut nuk po respektohen, BE dhe besoj dhe SHBA do t’i kërkojnë vendit tuaj të rimendojnë dhe ndryshojnë ligjin. Për tani, na duhet të ndjekim zbatimin e të shohim nëse është në përputhje të plotë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Janë vlera bazike në Bashkimin Europian që nuk mund të shkelen. Jemi shumë striktë për këtë”.
Në intervistën për A2, Santos pohon se u habit nga situata politike në Shqipëri në këtë moment kyç për negociatat dhe pas gjithë besimit që iu tregua vendit në Konferencën e Donatorëve.
Portugezja që zëvendësoi Knut Fleckestain si raportuese në Parlamentin Europian thekson gjithashtu rëndësinë e mbylljes deri në 15 mars të Reformës Zgjedhore dhe shtrirjes së ndryshimeve dhe në ligje të tjera. Për ta kthyer sistemin politik në Shqipëri më pranë standardeve europiane.