Ish- ministrja e Integrimit Klajda Gjosha i ka bërë apel mazhorancës shqiptare që të lexojë mirë deklaratën e djeshme të kryekëshilltarit të CDU- CSU Hans-Joachim Falenski që tha se nëse Shqipëria do negociatat mos luajë me integritetin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjosha shprehet se mazhoranca ka minuar shtetin e së drejtës me qëllim kapjen e gjyqësorit dhe pikërisht këto momente mbajnë pezull Shqipërinë dhe procesin e negociatave.
Më tej ajo shprehet se qytetarët duhet të dalin në 2 mars në krah të Presidentit Meta për Shqipërinë Europiane.
STATUSI I KLAJDA GJOSHËS
Kryekëshilltari pë Politikën e Jashtme të CDU-CSU, Hans-Joachim Falenski, ka bërë dje disa deklarata të forta mbi cështjen e Gjykatës Kushtetuese, rëndësinë për të mos luajtur me integritetin e saj, si dhe lidhjen e ngushtë të Kushtetueses me celjen e negociatave të Shqipërisë. Deklaratë kjo që duhet lexuar me kujdes nga mazhoranca, e cila në cdo moment ka minuar shtetin e së drejtës, institucionet e saj, me qëllim kapjen e pushtetit gjyqësor.
Janë pikërisht momente të tilla që e mbajnë Shqipërinë pezull në procesin e saj të integrimit europian, e mbajnë larg standarteve dhe shuajnë shpresën te brezat e rinj!
Beteja për Gjykatën Kushtetuese është beteja për të drejtën e jetës, të drejtën e pronës, për lirinë e shprehjes, të drejtën për t’u arsimuar….është beteja për demokracinë!
Në 2 Mars ne duhet të bëhemi bashkë për fëmijët tanë, bashkë për Shqipërinë europiane!