Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po kërkon që deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë pro heqjes së taksës ndaj mallrave Serbe. Mustafa ka shkruar në Facebook se SHBA është aleati më u fuqishëm i Kosovës, prandaj duhet të respektohet kërkesa që taksa të hiqet. Ai ka theksuar se partia e tij e mbështet plotësisht heqjen e menjëhershme të tarifës
Mustafa ka shkruar se që nga fillimi i vendosjes së taksës, ka theksuar se tarifa së pari 10 për qind e pastaj 100 për qind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për t’u mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbisë dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa ka shtuar se përmes taksës, Serbia po paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare.
“Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike. Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës”, ka shkruar ai.
Tutje, i pari i LDK’së ka thënë se SHBA dhe BE mund ta bindin Serbinë që përmes procesit të dialogut ta njohë shtetësinë e Kosovës.
Mustafa shkruan se do duhej që në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës e cila do të mbahet të hënën, deputetët duhet të votojnë pro heqjes së taksës, ashtu siç po kërkon Amerika.
“Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do t’i japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka shkruar ai.
Mustafa ka thënë se deputetët e LDK’së do ta mbështesin heqjen e menjëhershme të tarifës, pasi sipas tij kjo është në interes të Kosovës.
Ai po ashtu ka përmendur edhe reciprocitetin, duke thënë se nëse Serbia nuk mënjanon pengesat tregtare për Kosovën, LDK’ja është e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria akordon me SHBA’në dhe BE’në.
“Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës. Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në”, ka shkruar Mustafa.