Media serbe: Merkel dhe Macron po organizojnë një takim Prishtinë-Beograd

Tuesday, 03 Mars 2020 08:35

Gjermania dhe Franca po bashkërendojnë ngushtë për përgatitjet e Samitit të Parisit, i cili do të jetë një lloj vazhdimi i takimit i cili u mbajt në Berlin vitin e kaluar.

Kjo është konfirmuar për gazetën serbe ‘Blic’ nga zyra e kancelares gjermane, Angela Merkel. Nga ana tjetër, Brukseli ka theksuar se samiti i ri “do të ketë diskutime mbi hapat e nevojshëm për të krijuar marrëveshje” midis Beogradit dhe Prishtinës.

Gazeta thekson se njoftimi i kryeministrit kosovar, Albin Kurti për heqjen e taksës më 1 prill me kushte të caktuara u refuzuan nga Serbia dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas ‘Blicit’ në qoftë se taksa hiqet më menjëherë mbledhja e zyrtarëve nga Prishtina dhe Beogradi në një tryezë nuk do të jetë e largët.

Këtë e ka bërë të ditur edhe presidenti francez, Emanuel Macron i cili i ka sugjeruar Kurtit që së pari të heqë plotësisht tarifat.

“Gjermania mbështet plotësisht vazhdimin e shpejtë të dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, nën kujdesin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borel se ndërmjetësues. Në këtë kontekst, Franca dhe Gjermania po bashkërendojnë ngushtë për vazhdimin e takimit të mbajtur më 29 prill 2019 në Berlin”, kanë thënë për gazetën serbe nga zyra e Merkelit.

Të hënën në Shtëpinë e Bardhë është zhvilluar një takim në mes presidentit kosovar, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka deklaruar se kërkon heqje të taksës për të vazhduar dialogun me Kosovën, dhe i ka bërë thirrje përfaqësuesve të Kosovës të mos i bëjnë thirrje Serbisë për njohje pasi kjo vetëm se e përkeqëson situatën, përcjell lajmi.net.

Nga ana tjetër, Thaçi nuk ka treguar se çfarë është diskutuar në këtë takim, por ka thënë se ditët në vazhdim do të raportojë në Kuvendin e Kosovës dhe para qytetarëve.

Login to post comments