Flamuri i SHBA në manifestim/ Ish-drejtori i VOA: Ambasadorja u ngut

Tuesday, 03 Mars 2020 09:09

Ish-drejtori i VOA-s për Euro-Azinë dhe ish-anëtar i delegacionit të parë të DASH më 1991, kur u hap ambasadën e SHBA, Fran Shkreli, i drejtoi një letër ambasadores amerikane në Tiranë. Reagimi vjen pasi Yuri Kim bëri një koment mbi praninë e flamurit amerikan në manifestimin e thirrur nga presidenti Ilir Meta.

LETRA 

Znj.Ambasadore, ne shqiptaro-amerikanët, kemi pritur 50-vjet për valëvitjen e Flamurit të SHBA në Shqipëri. Lotët e para të mi, kur kam vizituar Shqipërinë, ishin në momentin kur vendosëm flamurin në makinën tonë diplomatike. Për Flamurin e Amerikës tonë të dashur, në kohën e regjimit komunist shqiptarët futeshin në burg.

U ngute Zonja Ambasadore! Ne shqiptaro-amerikanët kemi pritur për 50-vjet për valëvitjen e Flamurit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe në çdo kënd të trojeve shqiptare. Ke vetëm disa javë në detyrë, por mos u habit fare se, ndoshta nuk e keni venë re ende, por flamuri amerikan valëvitet gjithë andej dhe kudo në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetkë.

 

Lotët e para të mia kur kam vizituar Shqipërinë me delegacionin e parë të Departamentit Amerikan Shtetit në mars/prill, 1991, ishin pikërisht në momentin kur për herë të parë vendosëm flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike me të cilën udhëtuam anë e mbanë Shqipërisë, në atë kohë. Nuk qava nga mjerimi në të cilin e kishte sjellë komunizmi Shqipërinë e paraardhësve të mi, por qava se më në fund Flamuri i vendit tim, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po valëvitej i lirë në tokën e të parëve të mi. Ju lutem mos e dekurajoni përdorimin e flamurit amerikan në trojet shqiptare, madje edhe në manifestime të tilla, paqësore.

Flamuri amerikan vetëm të mira i ka sjellë atij kombi. Shqiptarët e dinë këtë, pa marrë parasysh keqqeverisjen e tyre për këto 30 vjet, nga udhëheqës që pretendojnë dhe kanë pretenduar se kanë mbështetjen e SHBA-ve dhe të ambasadorëve të saj të akredituar në Tiranë. Të kisha qenë në vendin tuaj, unë nuk do të kisha bërë ndonjë koment për valëvitjen e Flamurit Amerikan. Nuk i kontrollon dot me shqiptarët. Megjithë hallet e tyre të shumta, ata atje e kanë shpresën: Tek ky Flamur. Unë do isha shumë më i kënaqur për valëvitjen e Flamurit të Shteteve të Bashkuara me atë entuziazëm që valëvitet gjithmonë në Shqipëri. Kjo pas 50-vjet komunizëm, kur atëherë, vetëm të përmendje emrin e Amerikës, regjimi komunist të fuste në birucë. Duke e njohur deri diku atë histori, unë do isha shumë më i pakënaqur në qoftë se flamuri i vendit tim të adaptuar, Amerikës tonë të dashur që na ka dhënë strehim mijëra shqiptaro-amerikanëve si unë, ta shikonim në manifestime të tilla duke u djegur ose shkelur, ashtu siç ndodh shpesh në shumë vende të tjera të botës.

Login to post comments