Zbardhen propozimet e reja të PD për Reformën Zgjedhore, çfarë parashikohet për financimin e partive

Tuesday, 03 Mars 2020 09:40

Zbardhen sot propozimet e reja të Partisë Demokratike për reformën zgjedhore, lidhur me financimin e partive politike.

vijon…

DRAFTI I PLOTE
PROJEKT-L I G J
Nr.____, datë __.__.2020
PËR FINANCIMIN E PARTIVE POLITIKE
Në mbështetje të neneve 9, 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi

Ky ligj rregullon mënyrën dhe kushtet e financimit, administrimin, verifikimin, mbikëqyrjen, transparencën dhe raportimin për financimin e subjekteve zgjedhore për fushatën zgjedhore dhe partive politike për vitin kalendarik në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2
Përkufizime
“Shpenzime të fushatës zgjedhore” janë shpenzime të bëra nga ose në emër të një partie politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët dhe/ose degët e saj, ose nga një kandidat i pavarur, për të promovuar një parti, kandidatët e saj ose një kandidat të pavarur në zgjedhje, ose përpjekjen për të dëmtuar perspektivën e një partie tjetër, kandidatëve të partisë tjetër ose një kandidati të pavarur.”

“Periudha e raportimit financiar të fushatës” është periudha shtatë muaj para datës së zgjedhjeve.
“Periudha e fushatës zgjedhore” është periudha nga 30 ditë para datës së zgjedhjeve deri 24 orë para datës së zgjedhjeve.”

Neni 3
Parime të Përgjithshme
1. Financimi i partive politike udhëhiqet nga parimi i transparencës. Të dhënat për burimet financiare të partive, si dhe për shpenzimet e tyre publikohen kurdoherë.
2. Rregullat e monitorimit, të mbikëqyrjes dhe të auditimit të burimeve financiare e materiale, në çdo rast, duhet të respektojnë barazinë e partive politike përpara ligjit dhe të mos cenojnë të drejtën e krijimit lirisht të tyre.
Neni 4
Kompetencat e KQZ lidhur me financimin e partive
1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive, sipas rregullave të këtij ligji.
2. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë dhe për zbatimin e këtij ligji, ka këto kompetenca:
a) harton dhe miraton rregullat për raportimin e financimit, për monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike, si dhe për formatet e standardizuara për raportimin financiar të partive politike;
b) miraton formatin e regjistrit të posaçëm të fondeve jopublike të partive politike, si dhe formatin për formën dhe përmbajtjen e deklaratës së dhurimit të fondeve jopublike;
c) mban listën e ekspertëve kontabël të licensuar dhe i cakton ata sipas rregullave të këtij ligji për auditimin e fondeve dhe të shpenzimeve të partive politike;
ç) monitoron, mbikëqyr dhe auditon financimin e partive politike, nëpërmjet kontrollit të dokumentacionit financiar e të llogarive kontabël të partive politike, të subjekteve të lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që ndodhen nën kontrollin e tyre;
d) vendos sanksione kur konstaton shkelje të dispozitave të këtij ligji;
dh) harton programe ndërgjegjësuese dhe organizon trajnime për financimin e partive politike dhe të subjekteve të përfshira në këtë proces, sipas dispozitave të këtij ligji;
e) përcakton masën e fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare, në përputhje me këtë ligj;
ë) nxjerr akte nënligjore në bazë dhe për zbatimin e dispozitave të këtij ligji.
KREU II

FINANCIMI I FUSHATËS
Neni 5
Veprimtaritë e institucioneve publike në fushatë
1. Institucionet publike, qendrore dhe vendore, agjencitë autonome si dhe çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia, janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve. Raportimi është përgjegjësi personale e personit përgjegjës për drejtimin administrativ të institucioneve publike, agjencive dhe ndërmarrjeve shtetërore (sekretarit të përgjithshëm të institucionit, ose sipas rastit, e drejtorit të përgjithshëm apo drejtorit ekzekutiv). Raportimi duhet të kryhet jo më vonë se 48 orë përpara afatit të planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë.
2. Për qëllimin e raportimit sipas pikës 1 të këtij neni, KQZ-ja mban dhe administron ndërfaqen e raportimit të veprimtarive publike. Personat përgjegjës marrin akses të personalizuar tek kjo ndërfaqe dhe hedhin të dhënat për datën dhe orën e veprimtarisë, llojin e saj, tematikën, nivelin më të lartë të pjesëmarrjes, të ftuarit e nderit, folësit e planifikuar dhe mediatizimin. Informacioni sipas këtij paragrafi është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
3. Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni sipas pikës 2 të ketij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ ” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ ” vendoset jo më vonë se 24 orë nga raportimi. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
4. Veprimtaritë e ndaluara nga KQZ-ja nuk lejohet të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë fushatën në radio dhe televizione. Transmetimi ose pasqyrimi i tyre në kundërshtim me këtë paragraf ngarkon me përgjegjësi sipas këtij ligji transmetuesin radioteleviziv.
5. Mosraportimi i veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike, agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, ose zhvillimi i tyre, pavarësisht ndalimit nga KQZ-ja ngarkon me përgjegjësi personi përgjegjës, si dhe titullarin përkatës të institucionit kur ai ka penguar zbatimin e kësaj dispozite.
Neni 6
Të drejtat dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore gjatë fushatës
1. Gjatë fushatës zgjedhore, çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme.

2. Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike.
Neni 7
Afishimi i materialeve propagandistike
1. Jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, kryetari i bashkisë, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, përcakton vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore, të materialeve propagandistike.
2. Vendet e caktuara duhet të jenë në ambiente që sigurojnë vizibilitet publik dhe të kenë hapësirë të mjaftueshme ku të gjitha subjektet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje të paraqesin programet e tyre zgjedhore dhe mesazhet zgjedhore. Vendimi i kryetarit të bashkisë mënjëherë pas miratimit bëhet publik në faqen e internetit të bashkisë.
3. Gjatë fushatës zgjedhore përdorimi dhe afishimi i çdo materiali tjetër statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat, lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor.
4. Ndalohet përdorimi i materialeve propaganduese statike në kundërshtim me përcaktimet e bëra në pikën 2 të këtij neni. Me “materiale propaganduese statike” kuptohen të gjitha materialet që i shërbejnë subjektit zgjedhor apo partisë politike për promovimin e fushatës zgjedhore dhe që janë vendosur ose afishuar në vende ose hapësira publike me akses publik, si shtyllat e ndriçimit të rrugëve, fasadat e ndërtesave, sheshet, pjesët ballore të dyqaneve ose ndërtesave, përgjatë rrugëve të qyteteve, rrugëve ndërqytetëse, etj.
5. Policia Bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit garantojnë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhorë në vendet jashtë përcaktimeve të bëra në pikën 1 dhe 2 të këtij neni.

KREU III
FINANCIMI I SUBJEKTEVE ZGJEDHORE

Neni 8
Fondet nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive
pjesëmarrëse në zgjedhje

1. Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe që kanë marrë jo më pak se 0,5 për qind të votave në shkallë vendi, përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit, në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje. Fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në Buxhetin e Shtetit për vitin zgjedhor përkatës.Ky fond nuk mund të jetë më pak sesa totali i shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse.
2. KQZ-ja, brenda 5 ditëve nga nxjerrja e rezultatit përfundimtar në shkallë vendi, përcakton me vendim vlerën në para të një vote të vlefshme, duke pjesëtuar fondin e përgjithshëm të miratuar, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e radhës, që kanë fituar jo më pak se 0,5 për qind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore llogaritja bëhet mbi bazën e votave të marra për këshillat vendorë në shkallë vendi.
3. KQZ-ja përllogarit shumën që i takon secilës parti, duke shumëzuar vlerën në para të një vote të vlefshme, të përcaktuar sipas pikës 2 të këtij neni, me numrin e votave të vlefshme që ka marrë secila parti në zgjedhjet e radhës.
4. KQZ-ja zbret nga shuma e përllogaritur sipas pikës 3 sanksionet financiare që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse, sipas këtij ligji.
5. Shuma e mbetur pas përllogaritjeve të pikës 4 është shuma e cila përfiton partia pjesëmarrëse në zgjedhje nga Buxheti i Shtetit.
6. Në rast se shuma e përllogaritur në pikën 4 të këtij neni është më e lartë se totali i shpenzimeve të fushatës zgjedhore të raportuara nga partia politike apo subjekti zgjedhor ose është vlerësuar si e tillë nga KQZ-ja sipas auditimeve të pavaruara apo verifikimeve të saj, subjekti zgjedhor/partia politike është e detyruar të kthejë diferencën në KQZ .
7. Në rast se partia politike apo subjekti zgjedhor nuk zbaton përcaktimin e bërë në pikën 6 të këtij neni, atëherë përjashtohet nga e drejta për të përfituar fonde publike për një periudhë jo më pak se 5 vjet.
8. Në çdo rast KQZ ka të drejtë që të vendosë kompesimin midis shumave që subjektet duhet të kthejnë në KQZ sipas parashikimeve të këtij neni dhe shumave që ajo shpërndan sipas ligjit për vitin pasardhës.

Neni 9

Burimet e financimit të fushatës zgjedhore

1.Burimet e financimit të fushatës për subjektet zgjedhore janë:
a) fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore;
b) të ardhurat e vetë subjektit zgjedhor të krijuara sipas ligjit;
c) dhuratat në vlerë monetare, natyrë ose shërbime të dhëna, sipas nenit 13 të këtij ligji;
ç) kreditë e marra nga partitë politike sipas ligjit. Në asnjë rast vlera e një kredie nuk duhet të kalojë shumën e parave, sipas pikës 2 të nenit 13 të këtij ligji.

2. Ndalohet financimi i fushatave zgjedhore nga fonde, dhurata apo shërbime pa kundërshpërblim, të dhëna nga persona fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, jashtë rasteve dhe rregullave të parashikuara nga ky ligj. Shkelja e këtij ndalimi sjell përgjegjësi ligjore për personin përgjegjës për financat në atë parti politike, si dhe për personin fizik ose juridik, vendas apo të huaj.

3. KQZ-ja përcakton me vendim rregullat dhe modalitetet e nevojshme për llogaritjen e vlerës monetare të dhurimeve në natyre ose të shërbimeve të dhëna, sipas vlerës së tregut në momentin e dhënies së tyre.”
4. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, kontributetet e dhëna kandidatëve të subjekteve zgjedhore konsiderohen si kontribute për partinë politike për të cilën ata kandidojnë.

Neni 10

Fondet e dhëna nga Buxheti i Shtetit për fushatën zgjedhore

Fondi i përcaktuar me vendim të Kuvendit, sipas pikës 1 të nenit 8 të këtij ligji, u shpërndahet partive të regjistruara si subjekte zgjedhore si më poshtë:
a) 90 përqind e fondit i shpërndahet partive politike të rregjistruara si subjekte zgjedhore të cilat kanë marrë jo më pak se 0.5 përqind të votave të vlefshme në zgjedhjet pararendëse.
b) b) 10 përqind e fondit i shpërndahet partive politike dhe kandidatëve të pavarur të rregjistruar si subjekte zgjedhore dhe që nuk përfitojnë sipas shkronjës “a” të këtij neni.

Fondi i mësipërm u shpërndahet partive politike paradhënie, përpara zhvillimit të zgjedhjeve.

Neni 11

Mënyra e përllogaritjes së fondit paradhënie

1. Fondi i përcaktuar sipas shkronjës “a” të nenit 10 të këtij ligji llogaritet duke pjesëtuar këtë fond me totalin e votave të vlefshme të grumbulluara nga partitë politike, që përfitojnë sipas shkronjës “a” të nenit 10 të këtij ligji. Herësi i dalë nga ky pjesëtim shumëzohet me numrin e votave të vlefshme që ka marrë partia politike përkatëse në zgjedhjet paraardhëse.
2. Fondi i përcaktuar sipas shkronjës “b” të nenit 10 te ketij ligj ndahet duke pjesëtuar këtë fond me numrin e partive politike që përfitojnë, por në asnjë rast kjo shumë nuk mund të jetë më e madhe se shuma më e vogël e përfituar nga një parti, sipas pikës 1 të këtij neni.
3. Për zgjedhjet e përgjithshme si kriter përdoret rezultati në shkallë vendi, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet e përgjithshme paraardhëse. Për zgjedhjet për qeverisjen vendore si kriter përdoret rezultati në shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet paraardhëse për qeverisjen vendore.
4. Fondi i përcaktuar për t’u shpërndarë, sipas nenit 10, i jepet secilës parti jo më vonë se 5 ditë nga regjistrimi i listave shumemërore, apo kandidatëve për kryetar të njësive të qeverisjes vendore të partisë përkatëse.

Neni 12
Ndalimi i përdorimit të burimeve publike në mbështetje
të subjekteve zgjedhore

1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia.
2. Në kuptim të këtij neni, “burime” quhen asetet e luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor i institucionit. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore. Përdorimi i burimeve njerëzore përfshin edhe presionin ose ofrimin e përfitimeve nëpunësve publikë ose nxënësve për të marrë pjesë në veprimtari që lidhen me fushatën zgjedhore jashtë orarit të punës ose mësimit.
3. Gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura. Konsiderohen raste të përligjura rastet kur lëvizja apo lirimi nga puna vjen si rrjedhojë e shkeljeve, sipas legjislacionit përkatës, ose marrja në punë bëhet brenda strukturës dhe organikës në fuqi përpara fushatës zgjedhore nga institucioni apo enti publik në përmbushje të misionit të tij. Bëjnë përjashtim rastet e emergjencave për shkak të ngjarjeve të paparashikuara që diktojnë marrjen në punë.
4. Ndalohet transmetimi nga Radio Televizioni Publik i aktiviteteve të institucioneve publike qendrore dhe vendore për qëllime zgjedhore. Një aktivitet është për qëllime zgjedhore kur ai promovon arritjet institucionale, investimet ose progresin me punët publike ose kur promovon aspekte specifike të programit zgjedhor të subjektit zgjedhor.
5. KQZ-ja nxjerr udhëzime të hollësishme për të përcaktuar përdorimin dhe shpërdorimin e burimeve publike.”

Neni 13

Financimi i subjekteve zgjedhore nga fondet jopublike

1. Subjektet zgjedhore mund të marrin fonde, për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore, vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Për qëllim të këtij ligji, konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, duke përfshirë dhe kandidatët nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime.
3. Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij si dhe personat e lidhur te tyre deri ne shkalle të trete, nëse ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme:
a) ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 4 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë.“Ky ndalim zbatohet edhe në rastin e nënkontraktimeve apo të kontratave te partneritetit publik privat.”;
b) ushtron veprimtari në fushën e medias;
c) ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme;
ç) ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike.
4. Personat fizikë ose personat juridikë apo personat e lidhur deri ne shkalle te trete që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 4 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë mënyrë tjetër fonde me vlerën torale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik.”

Neni 14
Fondet jopublike dhe rregjistrimi i tyre

1. Shuma e shpenzimeve të bëra nga një parti politike, përfshirë kandidatët e saj, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të jetë një herë e gjysëm më shumë se shuma që partia ka marrë nga fondet publike për qëllime zgjedhore, në përputhje me nenin 11 të këtij ligji. Çdo shpenzim i fushatës zgjedhore dokumentohet dhe zbatohet në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi.Për zbatim të këtij ligji “shpenzim për fushatë” është çdo shpenzim që bën një parti ose kandidatët e saj për qëllime të fushatës zgjedhore, pavarësisht datës se kur është bërë.
2. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me fondin maksimal të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, përcakton maksimumin e shpenzimeve për çdo fushatë zgjedhore, nisur nga gjendja e përgjithshme ekonomike në vend, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën e zgjedhësve, aktivitetet, shërbimet dhe materialet e nevojshme për realizimin e një fushate zgjedhore.
3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton me udhëzim listen e referencës së kostos financiare të çdo aktiviteti, materiali propagandistik si flamuj, bluza, foni, aktivitet argetuese, shërbimi apo materiali tjetër,etj, që do të përdoret për qëllime zgjedhore ose politike, nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.
4. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton me udhëzim llojet dhe numrin e aktiviteteve, veprimtarive, shërbimeve, zyrave elektorale dhe materialeve të lejuara për t’u përdorur nga një parti politike gjatë fushës zgjedhore.
5. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në nenin 13 të këtij ligji dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi.
6. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 30 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tre ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së.
7. Detyrimet e parashikuara në këtë nen vlejnë edhe për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit,të regjistruar sipas neneve 69 dhe 70 të Kodit Zgjedhor. Shpenzimi total që mund të kryejë kandidati i propozuar nga zgjedhësit nuk duhet të kalojë 50 për qind të shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas nenit 11 të këtij ligji.”.

Neni 15
Deklarimi dhe publikimi

1. Subjektet zgjedhore, janë të detyruara të paraqesin Raport Financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 30 ditëve nga dita e zgjedhjeve.
2. Kandidatët për deputet në zgjedhjet për Kuvendin dhe kandidatët për organet e qeverisjes vendore në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, janë të detyruar të dorëzojne një kopje të raportit financiar për fushatën zgjedhore pranë partisë politike, sipas rregullave të vendosura nga partia politike, dhe një kopje të raportit financiar për fushatën zgjedhore drejtpërdrejt në KQZ sipas afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.
3. Raporti i përmendur në pikën 1 dhe 2 të këtij neni dorëzohet sipas një modeli të miratuar nga KQZ-ja. Ai duhet të përmbajë informacion në lidhje me:
i) Çdo dhurim që i është bërë partisë/subjektit zgjedhor (duke përfshirë edhe degët dhe kandidatët e saj) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo shërbimet në natyrë.
ii) Të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara.
iii) Të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore siç përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në nenin 14, pika 3 të këtij Kodi.
iv) Bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.
4. Çdo parti politike që merr pjesë në zgjedhje mban dhe ruan në arkivë për një periudhë prej 7 vjetësh, dokumentacionin e plotë dhe të hollësishëm të statusit të saj financiar dhe të degëve të saj për periudhën që mbulon ky raport, duke përfshirë:
i) librat e llogarive/kontabilitetit, mbajtur në përputhje me legjislacionin në fuqi, ku pasqyrohen të gjitha të ardhurat sipas burimit dhe shumës, identifikohet si është bërë pagesa, si dhe pagesat e bëra personave të tretë, qëllimet e pagesave dhe se si është kryer çdo pagesë;
ii) dokumentacionin e të gjitha shpenzimeve të bëra; iii) situatën dhe lëvizjet në llogarinë e saj bankare;
iv) dokumentacionin e plotë të pronave të paluajtshme që zotëron partia politike, si dhe çdo kontratë të lidhur për marrje me qira, dhënie me qira, porositje, apo shitje të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme.

Neni 16
Monitorimi i fushatës zgjedhore

1. Jo më vonë se shtatë muaj para datës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve emëron me short një numër të mjaftueshëm ekspertësh financiarë, për të kryer monitorimin e fushatës zgjedhore të partive politike, duke përfshirë aktivitetet, veprimtaritë dhe materialet e përdorura prej tyre gjatë fushatës zgjedhore.
2. Raporti i monitorimit i paraqitet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit, por në çdo rast jo më vonë se 4 muaj nga data e zgjedhjeve. Raporti detajon në mënyrë të plotë të gjitha aktivitetet, veprimtaritë dhe materialet që ka përdorur partia politike gjatë fushatës zgjedhore.
3. Ekspertët financiarë kanë të drejtë që të kërkojnë dhe verifikojnë edhe transaksionet financiare të kryera për periudhën 3 muaj përpara dhe pas ditës së zgjedhjeve, nga persona fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, me qëllim evidentimin e transaksioneve të pajustifikuara dhe që mund të jenë përdorur për financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore të një ose disa partive politike.
4. Me kërkesë të ekspertit financiar, të përcjellë nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bankat e nivelit të dytë dhe subjektet e tjera që ushtrojnë aktivitete bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, janë të detyruara të japin informacion mbi depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera gjatë periudhës së monitorimit. Ato bëhen publike vetëm nëse vërtetohet se janë përdorur për financim të paligjshëm të një partie politike dhe në këtë rast Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paraqet kallëzim penal në organin e prokurorisë.
5. Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të ekspertëve financiarë, si dhe mënyra e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e tyre, përcaktohen me udhëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Neni 17

Verifikimi i fushatës nga subjektet zgjedhorë

1. Subjektet zgjedhorë të rregjistruar në zgjedhje kanë te drejtë të verifikojnë, gjashtë muaj përpara datës së zgjedhjeve, raportet e bankave të nivelit të dytë të cilat përcillen dhe depozitohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
2. Verifikimi kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet një ekspertit financiar i cili propozohet nga koalicioni ose partia parlamentare kur kjo garon e vetme dhe miratohet nga KQZ-ja.
3. Në rastet kur ekspertët financiarë të subjekteve vërejnë shkelje gjatë procesit të verifikimit, ata informojnë KQZ-në përmes mënyrës së përcaktuar nga KQZ-ja. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i të dhënave, sipas këtij neni, u nënshtrohet rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 18
Portali për denoncime në lidhje me financimet

1. KQZ-ja krijon dhe mirëmban për periudhën 6 muaj para datës së zgjedhjeve deri në gjashtë muaj pas datës së zgjedhjeve portalin në internet, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme të këtij Kodi nga subjektet zgjedhore dhe kandidatët në lidhje me financimin e fushatës.
2. Kriteret dhe procedurat e hollësishme për funksionimin dhe mirëmbajtjen e portalit, procedurat e hetimit administrativ dhe afatet e tij, si dhe konkluzionet qe duhet të arrihen në përfundim të tij përcaktohen me vendim të KQZ-së.

Neni 19
Auditimi i fondeve dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore

1.Jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, për çdo parti politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, apo kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, KQZ-ja emëron një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, të përzgjedhur sipas nenit 19 të këtij ligji për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. Raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Raporti nuk mund të përfshijë të dhëna personale të dhuruesve nën vlerën e parashikuar në pikën 2 të nenit 14 të këtij ligji
2. Subjektet zgjedhore të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni duhet të vënë në dispozicion të auditit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore, sipas këtij Kodi.
3. Subjektet zgjedhore që auditohen duhet të vënë në dispozicion çdo informacion që disponojnë nga bankat, institucione apo persona të tretë që kanë lidhje me auditimin ose të autorizojnë auditorin për tërheqjen e tyre nga të tretët. KQZ-ja vë në dispozicion të auditorit në çdo fazë të auditimit informacionet që i paraqiten nga të tretët mbi objektin e auditimit.
4. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse. Emri i personave që dhurojnë shuma jo më pak se 30 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse publikohen bashkë me raportin.
5. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë kre nga subjektet zgjedhore apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet sipas parashikimeve të nenit 30 të këtij ligji.

6. KQZ ka të drejtën të verifikojë drejpërdrejt shpenzimet e fushatës zgjedhore për cdo parti parti politike të rregjistruar si subjekt zgjedhor, kandidatët apo kandidatë e propozuar nga zgjedhësit, ose të verifikojë raportin e auditimit sipas pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja për zbatim të këtij neni ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së KQZ-së brenda 15 ditëve nga marrja e saj. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga KQZ-ja raportohet në prokurori si vepër penale, sipas nenit 248 të Kodit Penal, si dhe ndërshkohen administrativisht prej saj në përputhje me nenin 30 të këtij ligji”

Neni 20
Përzgjedhja e auditëve nga KQZ-ja
1. KQZ-ja përzgjedh me konkurrim një listë të audituesve ligjore në fillim të vitit zgjedhor.
2. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 auditues ligjor, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit.
3. Partia kryesore e mazhorancës ka të drejtë të perzgjedhë një apo më shumë auditues ligjor nga lista e audituesve të miratuar nga KQZ-ja sipas pikës 2 të këtij neni, për të audituar fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partia kryesore e opozitës parlamentare. Pasi ka përzgjedhur partia kryesore e shumicës këtë të drejtë e ushtron partia kryesore e opozitës parlamentare, e cila përzgjedh nga lista e audituesve ligjorë të miratuar nga KQZ-ja audituesin ligjor për të audituar fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga partia kryesore e mazhorancës. Kjo procedurë ndiqet dhe për partinë e dytë të shumicës dhe partinë e dytë të opozitës parlamentare. Për partitë e tjera pjesëmarrëse në zgjedhje KQZ emëron me short një apo më shumë auditues ligjor për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore.
4.Procedurat, kriteret e përzgjedhjes së listës paraprake dhe emërimit të tyre përcaktohen me udhëzim të KQZ-së. Në çdo rast një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi.
5. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë fondin e nevojshëm për auditimin e subjekteve zgjedhore dhe monitoruesit e shpenzimeve të fushatës zgjedhore. KQZ-ja përcakton me vendim kushtet kontraktuale për këtë gjë.
KREU IV
MJETET FINANCIARE DHE MATERIALE TË PARTIVE POLITIKE
Neni 21
Partitë politike janë person juridik. Ato kanë pasuri për kryerjen e veprimtarisë së tyre. Partitë politike kanë mjetet e tyre të propagandës, si dhe institucionet përkatëse realizuese të tyre.
Neni 22
Burimet financiare dhe materiale të partive politike përbëhen nga kuotat e anëtarësisë, nga fondet publike, duke përfshirë edhe ndihmën financiare në masën e caktuar në Buxhetin e Shtetit të miratuar me ligj nga Kuvendi, fondet jopublike, të cilat janë dhurimet financiare, dhurimet në natyrë, shërbimet, sponsorizimet, kreditë apo garancitë e ndryshme, si edhe çdo transaksion tjetër financiar.”.
Neni 23
1. Çdo vit në Buxhetin e Shtetit përcaktohet një fond që shërben si ndihmë financiare publike për kryerjen e veprimtarisë vjetore të partive politike. Ndihma financiare e parashikuar në Buxhetin e Shtetit në vitet jozgjedhore, si rregull, nuk mund të jetë më e vogël se ndihma e parashikuar në vitin paraardhës.
2. Ky fond ndahet sipas rregullave të mëposhtme:
a) 70 për qind, sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar në bazë të sistemit zgjedhor të parashikuar në Kodin Zgjedhor;
b) 20 për qind, në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare dhe partive që kanë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare;
c) 10 për qind, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi.
Pjesa që mbetet pa u shpërndarë nga 10-përqindëshi i shtohet fondit prej 70 për qind dhe u ndahet partive parlamentare.
3. Masa konkrete e fondit publik, që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore, në përputhje me këtë ligj, përcaktohet me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky vendim u njoftohet partive politike përfituese dhe Ministrisë së Financave.
4. Ndihma financiare vjetore, në çdo rast, jepet vetëm nëse partia politike ka dorëzuar, paraprakisht, raportin financiar të vitit paraardhës, sipas rregullave të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mosdorëzimi i këtij raporti përbën shkak për përjashtimin e partisë politike nga përfitimi i ndihmës financiare vjetore.
5. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përcakton masën konkrete të fondit publik për çdo parti politike, mund të ankimohet në gjykatë, në përputhje me rregullat për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.
6. Partia Politike, tridhjetë për qind të fondit të përfituar nga buxheti i shtetit, si rregull e vë në dispozicion për organizimin dhe funksionimin e organizatave partnere, organizatave rinore dhe /ose entiteteve të tjera me funksione politike, akademike dhe edukative, të lidhura me partinë politike, si fondacione, akademi, shkolla politike etj.

Neni 24
1. Ndalohet krijimi i personave juridikë tregtarë e jotregtarë, që ushtrojnë veprimtari me qëllim fitimi, nga partitë politike apo nëpërmjet të tretëve.
2.Partitë politike mund t’i përdorin pasuritë e mjediset e tyre për veprimtari ekonomiko-shoqërore të karakterit të botimeve, shtypshkrimeve, shërbimeve apo dhënies me qira, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 25
1.Ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga qeveri dhe nga ente publike ose private të huaja, si dhe nga ente vendase publike ose me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror.
2.Lejohen dhuratat dhe ndihmat që vijnë nga parti ose bashkime ndërkombëtare partish, nga organizata e fondacione politike, vendase e të huaja, si dhe nga individë, persona fizikë e juridikë privatë vendas.
Neni 26
1. Partitë politike dorëzojnë jo më vonë se 31 marsi raportet financiare një herë në vit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duhet të përmbajnë informacion të hollësishëm për:
a) burimet e financimit në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
b) shpenzimet në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
c) subjektet e lidhura, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partia politike.
2. Partitë politike dorëzojnë raportin vjetor financiar, së bashku me raportin e auditimit, të kryer nga audituesit ligjor, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
3. Dorëzimi i raportit financiar vjetor bëhet nga personi përgjegjës për financat në partinë politike ose personi i përcaktuar sipas statutit të partisë politike, brenda afatit të përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
4. Gjatë vitit zgjedhor, raportet financiare të partisë duhet të dorëzohen së bashku me raportin financiar të fushatës zgjedhore.
5. Raporti financiar vjetor, raporti i ekspertëve kontabël të licencuar, raporti financiar i fushatës zgjedhore dhe raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve publikohen në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se 30 ditë nga koha e dorëzimit të tyre prej partisë politike.”
Neni 27
1. Çdo parti politike duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shumën e fondeve të përfituara nga çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çdo rast, dhuruesi, në kohën e dhurimit, nënshkruan detyrimisht një deklaratë dhurimi, sipas formatit të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Lista e personave, që dhurojnë shuma jo më pak se 30 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.
2. Dhurimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 30 mijë lekë, duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga partia politike. Personi përgjegjës për financat në partinë politike, brenda tre muajve nga krijimi i partisë politike, deklaron pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
3. Ndalohet përfitimi i fondeve jopublike, kryer nga subjekte që nuk deklarojnë identitetin e tyre apo identiteti i të cilave është i papërcaktuar qartë nga partia politike përfituese e fondit jopublik.
4. Çdo shpenzim i kryer nga partia politike kryhet dhe dokumentohet duke respektuar legjislacionin tatimor në fuqi.
Neni 28
1. Në listën e ekspertëve kontabël të licencuar, që KQZ-ja mban në zbatim të këtij ligji, përfshihen të gjithë ekspertët kontabël të licencuar me eksperiencë, që e ushtrojnë këtë profesion më shumë se pesë vjetët e fundit, të cilët aplikojnë.
2. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve cakton një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar nga lista për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara gjatë vitit kalendarik nga partia politike. Caktimi bëhet brenda 45 ditëve nga data e regjistrimit të partisë politike dhe në fillim të çdo viti kalendarik. Raporti i auditimit paraqitet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda afatit të përcaktuar prej këtij komisioni në vendimin e caktimit të ekspertëve.
3. Partia kryesore e shumicës parlamentare ka të drejtë të perzgjedhë një apo më shumë auditues ligjor nga lista e audituesve të miratuar nga KQZ-ja sipas pikës 1 të këtij neni, për të audituar fondet e perfituara dhe të shpenzuara nga partia kryesore e opozites parlamentare gjatë vitit kalendarik. Pasi ka përzgjedhur partia kryesore e shumicës këtë të drejtë e ushtron partia kryesore e opozitës parlamentare, e cila përzgjedh nga lista e audituesve ligjor të miratuar nga KQZ-ja audituesin ligjor për të audituar fondet e perfituara dhe të shpenzuara gjatë vitit kalendarik nga partia kryesore e shumicës. Kjo procedurë ndiqet dhe për partinë e dytë të shumicës parlamentare dhe partinë e dytë të opozitës parlamentare. Për partitë e tjera KQZ emëron me short një apo me shume auditues ligjor për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore.
4. Partitë politike duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çdo informacion, dokument apo të dhënë, që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e kryera gjatë vitit kalendarik, sipas këtij ligji.
5. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëjë verifikime të të dhënave të raportit, nëpërmjet pyetjes së personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjes së dokumenteve që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të partive politike që kanë paraqitur raportin, si dhe marrjes së çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë. Personat fizikë dhe juridikë janë të detyruar të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin normal të procedurës së verifikimit.
6. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikon raportet e auditimit për partitë politike brenda 30 ditëve nga koha e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga koha e mbylljes së procedurës së verifikimit.
7. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë ligj nga partitë politike apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas parashikimeve të këtij ligji.

Neni 29
1. Eksperti kontabël nuk mund të auditojë të njëjtën parti politike për dy vjet radhazi.
2. Shpenzimet e nevojshme për auditimin e partive politike mbulohen nga vetë partitë politike, të cilat transferojnë fondet e nevojshme, për këtë qëllim, në llogarinë bankare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rregullat e hollësishme për realizimin e këtij procesi përcaktohen me udhëzim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Neni 30
Sanksione në lidhje me financimin e fushatës
1. Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike, nga kandidati, kur përbën vepër penale, sjell shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit nga KQZ-ja. Në këtë rast KQZ-ja njofton Kryetarin e Kuvendit, në rastin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit, apo Kryeministrin, në rastin e kryetarit të bashkisë apo të këshilltarit bashkiak.
2. Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike, nga partia politike kur përbën vepër penale, sjell shpalljen e pavlefshmërisë së mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të fundit të fituar nga partia politike në zonën zgjedhore me numrin më të madh të votave. Në këtë rast mandati i kalon partisë me hersin më të madh brenda koalicionit kur partia është pjesë e koalicionit ose partisë në radhë me hersin më të madh kur partia garon më vete.
3. Kuvendi miraton me vendim rregullat e detajuara dhe afatet për marrjen e masave për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga pika 1 dhe 2 e ketij neni.
4. Shkelja e dispozitave për financimin e fushatës zgjedhore nga personi përgjegjës i financës së një partie politike dënohet me një gjobë nga 100 000 deri 200 000 lekë.
5. Pengimi ose mosbashkëpunimi i subjektit zgjedhor me audituesin e -së dënohet me një gjobë nga 2 000 000 deri 3 000 000 lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike për deri në 5 vjet.
6. Mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë. Paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë.
7. Fondet jopublike të përftuara nga një parti politike, identiteti i dhuruesit të të cilave nuk dihet ose nuk përcaktohet qartësisht, transferohen në llogarinë e KQZ-së. Gjithashtu partia politike dënohet dhe me një gjobë të barabartë me shumën e fondeve të marra.
8. Pranimi i fondeve private më vlerë më të madhe se 30 mijë lekë dhe kur transaksioni nuk është bërë përmes llogarive bankare dënohet me një gjobë të barabartë me shumën e dhuruar dhe në kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së.
9. Pranimi i fondeve nga donatorë të ndaluar siç specifikohet në nenin 25 dënohet me kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së dhe me një gjobë të barabartë me dyfishin e shumës së fondeve të marra.
10. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme e gjatë procesit të verifikimit nga KQZ-ja sipas nenit 9, paragrafi 6 ndërshkohet me gjobë nga KQZ-ja prej 100 000 lekë deri në 3 000 000 lekë.
11. Shkelja e kufirit maksimal të shpenzimeve nga një subjekt zgjedhor dënohet me një gjobë prej 5 000 000 lekë ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin, cilado që është më e lartë.
12. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjobës së dhënë në bazë të këtij neni. Gjoba e vënë nga KQZ është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet brenda 30 ditesh nga marrja dijeni për të. Përjashtohet nga detyrimi të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor.”

Neni 31
Sanksionet ne lidhje me financimin e partive politike
1. Shkelja e dispozitave për financimin e partive politike nga ana e personit përgjegjës për financat në partinë politike apo e personit përgjegjës sipas statutit të saj dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
2. Shkelja e detyrimit për bashkëpunim me ekspertin kontabël të licencuar, të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga ana e partisë politike, dënohet me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.
3. Refuzimi për të bërë transparent burimet e financimit të partisë politike apo për të lejuar ushtrimin e kontrollit nga ana e ekspertit kontabël të licencuar a të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dënohet me gjobë nga 2 000 000 deri në 5 000 000 lekë ose/dhe me pezullimin deri në 5 vjet të financimit publik për partinë politike.
4. Shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
5. Fondet jopublike të përfituara nga partia politike, kur identiteti i dhuruesit nuk njihet apo nuk është i përcaktuar qartë, kalojnë për llogari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
6. Pranimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë dhe kur transaksioni nuk është kryer nëpërmjet llogarisë bankare dënohet me gjobë në masën 30 për qind të shumës së dhuruar.
Neni 32
Në rastet kur një parti politike nuk paguan detyrimet ndaj shtetit që rrjedhin nga tituj ekzekutivë apo nga akte administrative të ekzekutueshme, atëherë shuma përkatëse i mbahet nga buxheti shtetëror vjetor, që parashikohet për ndihmë financiare të partisë përkatëse.

KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 33
Fondet nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2020
Fondi për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin dhe ato të qeverisjes vendore, përcaktohet me vendim të Kuvendit dhe përbën zë më vete në Buxhetin e Shtetit për vitin zgjedhor përkatës.Ky fond nuk mund të jetë më pak sesa trefishi i totalit të shumave të shpërndara partive politike në zgjedhjet pararendëse.
Neni 34
Dispozitat e ligjit 8580 “Për partitë politike”, i ndryshuar, për financimin e partive politike, dispozitat e Kodit Zgjedhor për financimin e fushates zgjedhore si dhe çdo dispozitë që vjen në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohet.
Neni 35
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

PROPOZIM ALTERNATIV
Mbi strukturën e posaçme të monitorimit

Në rast të pranimit të propozimit Alternativ, pika 1 dhe gërma ç e pikës 2 të nenit 4 duhet të hiqen. Gjithashtu, neni 15, 16, 18 zëvendesohen si më poshte :
Neni 15

Monitorimi dhe Kontrolli i Shpenzimeve Zgjedhore

1. Me qëllim monitorimin dhe kontrollin e shpenzimeve zgjedhore të kryera nga partitë politike dhe kandidatët e tyre përgjatë periudhës zgjedhore, brenda 30 ditëve nga data e dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve për Kuvendin, ngrihet Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore(SPMKSHZ).
2. Kjo Strukturë ka në përbërjen e saj anëtarë, nga të cilët: 4 anëtarë janë kandidatura që propozohen nga mazhoranca dhe 5 anëtarë kandidatura që propozohen nga partitë e opozitës. Kryetari i kësaj Strukturë përzgjidhet me konsensus ndërmjet 5 anëtarëve të opozitës. Pas verifikimit të përmbushjes së Kritereve të Kualifikimit, anëtarët dhe kryetari i kësaj Strukture emërohen dhe shkarkohen pa debat nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë(Presidenti, KQZ, Vetepropozuesit etj). Secili prej anëtarëve të kësaj strukture ka të drejtën të zgjedhë 2 ndihmësa me qëllim asistencën në kryerjen e detyrës. Trajtimi financiar i Strukturës së Posaçme, rregullohet me Vendim te Keshillit te Ministrave, brenda 30 diteve nga data për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe zgjedhjeve për Kuvendin.
3. Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore funksionon si një organ kolegjial dhe vendimet e saj merren me shumicë të thjeshtë. Në mbledhjen e parë të saj, Strukturë e Posaçme miraton rregulloren e funksionimit të saj.
4. Kriteret për të përzgjedhur anëtarin e SPMKSHZ janë:
a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç;
b) të jetë me arsim të lartë në fushën e financës ose drejtësisë;
c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, në fushën e auditimit financiar ose në fushën e drejtësisë;
ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 10 vitet e fundit;
dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet, kryetar bashkie apo anëtar i Këshillit Bashkiak në 10 vitet e fundit;
e) të mos ketë qenë pjesëtar në 10 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat e Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.
5. Mandati i anëtarit dhe Kryetarit të SPMKSHZ-së përfundon përpara periudhës së parashikuar në ligj, kur:
a) kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit apo kryetarit të Strukturës;
b) vdes;
c) jep dorëheqjen nga detyra;
ç) dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
d) me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e SPMKSHZ-së për monitorimin dhe kontrollin e shpenzimeve zgjedhore të kryera nga partitë politike dhe kandidatët e tyre
6. Shkarkimi i anëtarit të SPMKSHZ-së, për shkaqe të parashikuara në pikën 5 të këtij neni, bëhet me vendim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Presidenti, KQZ, Vetepropozuesit etj.).

Neni 16
Të drejtat dhe detyrat e Strukturës së Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore

1. Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore e ushtron veprimtarinë e saj përgjatë gjithë periudhës zgjedhore përkatëse, deri në hartimin e raportit përfundimtar për veprimtarinë objekt monitorimi e kontrolli.

2. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin Raport Financiar për fushatën zgjedhore pranë SPMKSHZ brenda 45 ditëve nga dita e zgjedhjeve.

3. Gjatë periudhës zgjedhore, Struktura e Posaçme,ka të drejtë të verifikojë kryerjen e të gjitha shpenzimeve të fushatës zgjedhore për çdo parti parti politike të rregjistruar si subjekt zgjedhor, kandidatët apo kandidatë e propozuar nga zgjedhësit, si dhe të verifikojë raportin financiar të auditimit sipas pikës 2 të këtij neni. Për zbatim të këtij neni SPMKSHZ ka të drejtë të kërkojë të dhëna, dokumente apo informacion nga subjektet zgjedhore apo persona të tretë, ne perputhje me legjislacionin ne fuqi per mbrojtjen e te dhenave personale, të cilët duhet t’i përgjigjen kërkesës së saj brenda 15 ditëve nga marrja e saj. Mosbashkëpunimi ose refuzimi për të bashkëpunuar, asgjësimi i dokumentave, vonesat ose sjellja e papërshtatshme në procesin e verifikimit të kryer nga kjo strukturë raportohet në prokurori si vepër penale, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal, si dhe ndëshkohen administrativisht prej saj në përputhje me nenin 173 të Kodit Zgjedhor.
4. Raporti i përmendur në pikën 2 të këtij neni dorëzohet sipas një modeli të miratuar nga Struktura e Posaçme dhe duhet të përmbajë informacion në lidhje me:
a) Çdo dhurim që i është bërë partisë/subjektit zgjedhor (duke përfshirë edhe degët dhe kandidatët e saj) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo shërbimet në natyrë;
b) Të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara.
c) Të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore siç përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në nenin 90, pika 3 të Kodit Zgjedhor.
d) Bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve.
5. Në rastet kur Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj konstaton shkeljeligjore mbi financimin e fushatës zgjedhore të partisë politike apo kandidatit të saj, apo kandidatëve të tjerë të propozuar nga një numër zgjedhësish, atëhere kjo strukturë kryen perkatesisht njoftim apo kallëzim penal në KQZ apo Prokurorinë e Përgjithshme, për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e shkeljeve në fushën zgjedhore;
6. Jo më vonë se 30 ditë nga dorëzimi i raportit të auditimit financiar nga partitë politike dhe kandidatët e tyre apo kandidatët e tjerë pjesëmarrës në zgjedhje, Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore harton dhe publikon raportin përfundimtar me gjetjet përkatëse mbi monitorimin dhe kontrollin e shpenzimeve zgjedhore.
7. Mandati i Strukturës së Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore përfundon brenda 5 ditëve nga dorëzimi i raportit përfundimtar prane KQZ-se dhe publikimi i tij, sipas pikës 6 të këtij neni.
Neni 18
Portali për denoncime në lidhje me financimet

1. Struktura e Posaçme për Monitorimin dhe Kontrollin e Shpenzimeve Zgjedhore (SPMKSHZ) mbikqyr portalin e krijuar nga KQZ,për denoncime në lidhje me financimet për periudhën 6 muaj para datës së zgjedhjeve, deri në afatin e percaktuar ne piken 7 te nenit 90/2 të Kodit Zgjedhor, me akses të lirë, për të denoncuar prej kujtdo shkeljet e mundshme të këtij Kodi, nga subjektet zgjedhore, kandidatët e tyre dhe kandidatet e mbeshtetur nga nje numer zgjedhesish, në lidhje me financimin e fushatës.

2. Kriteret dhe procedurat e hollësishme për funksionimin dhe mirëmbajtjen e portalit, procedurat e hetimit administrativ dhe afatet e tij, si dhe konkluzionet qe duhet të arrihen në përfundim të tij përcaktohen me vendim të KQZ-së.”

Login to post comments