Nga Luçiano Boçi.
Helmimi i përsëritur i nxënësve të së njëjtës shkollë, “Janaq Kilica” në Fier, nuk ngjan më rastësi. Më së paku është papërgjegjshmëri dhe paaftësi totale për të siguruar jetën e fëmijëve brenda në shkollë
Varianti i reaksionit kimik i dhënë si arsye pak ditë më parë, është përsëritur. Nuk ka rëndësi, nëse është shkaktuar nga një nxënës i papërgjegjshëm apo për shkak të korrupsionit tenderues në shkollat tona, në të cilat kanë hyrë lloj lloj lëndësh kimike të pakontrolluara për efektet e tyre toksike. Rëndësi ka që nxënësit nuk janë të sigurtë dhe kjo ndodh në mënyrë të përsëritur brenda pak ditëve. Reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe strukturave të policisë, në rastin e parë, ka qenë zero. Asnjë masë nuk u mor, sepse drejtuesit janë militantë partiakë dhe pasoja e sotme nuk vonoi të vinte.
Shkollat tona sot i ngjajnë vendeve ku gjithçka mund të ndodhë. Mund të shpërndahet drogë dhe për drejtuesit e Ministrisë e Policisë situata është normale. Mund të ushtrohet dhunë e të gjitha formave dhe kjo është normale për qeverinë e ndritur. Mund të helmohen nxënësit dhe gjithcka interpretohet si normale, si diçka që “ndodh edhe nëpër filma.”
Anormale duket të jetë tashmë vetëm transmetimi i dijes dhe i edukimit.
E vërteta ulëritëse është se shkollat tona janë helmuar! Janë helmuar deri në asht. Janë helmuar me rilindje! E vetmja zgjidhje: Futja në karantinë disavjeçare e Rilindjes.