“Keqardhje për disa që kanë punuar pa integritet”- Meta flet kundër ndërkombëtarëve: Disa kanë mbështetur hapur apo tinëzisht kapjen e sistemit

E Enjte, 05 Mars 2020 12:43

Kreu i shtetit, Ilir Meta ka kritikuar ashpër disa nga ndërkombëtarët, të cilët sipas tij kanë mbështetur hapur qeverinë edhe kur ka miratuar ligje që kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë.

Presidenti Meta gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev ka deklaruar se disa ndërkombëtare kanë mbështetur në mënyrë tinzare shkeljen e Kushtetutës dhe nuk kanë punuar me integritet.

Meta tha se asnjë vend në botë nuk qëndron qoftë dhe një minutë pa Gjykatë Kushtetuese, ndërkohë që në Shqipëri ky instituicion është bllokuar qëllimisht për tri vite.

“Në çdo vend tjetër demokratik, kushdo që ka përkrahur apo ka mbështetur tinëzisht përkrahjen e ligjeve antikushtetuese, apo interpretime antikushtetuese, si në rastin e prokurorit që u zgjodh me 69 vota nga 84 vota që parashikohet në Kushtetutë, kush ka bllokuar KED për tri vite, duke paralizuar vendin, duke lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese. Kjo ka dëmtuar shumë dhe ka shkatërruar themelet e shtetit të së drejtës, por dhe se kush po përpiqet të mbështesë, këtë akt që unë me të gjitha faktet e kam quajtur si grusht shteti.

Unë jam krenar si Presidenti i Republikës që kam qenë dhe mbetem në mbështetje dhe zbatim të kushtetutës së vendit tim. Kushtetutës së votuar me 140 vota, të votuar me bekimin e Komisionit të Venecias, BE dhe SHBA. kam bërë detyrën time edhe në raport me qeverinë për të mbrojtur sistemin e drejtësisë, kapjen e reformës në drejtësi.

Edhe opozitës që të mos i ikë përgjegjësive, që të mos mjaftohet me denoncimin e shkeljeve.

Unë kam respekt për partnerët ndërkombëtar, për ato që kemi bërë në Kushtetutën e Shqipërisë dhe Reformën e Drejtësisë, por më vjen keq për të gjithë ata që nuk kanë kontribuar me integritet dhe përkushtim në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë,  por për fat të keq, kanë mbështetur diku hapur dhe diku tinëzisht në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, kapjen e këtij sistemi, që na ka lënë tre vite ti gëzohemi raporteve pozitive, por që të shpresojmë që të marrin të paktën një raport pozitiv në fund të marsit për çështjen e çeljes së negociatave”.

S’ka vend në botë që mund të qëndrojë një minutë të vetëm, qoftë pa Gjykatë Kushtetuese apo qoftë pa Gjykatë të Lartë”, theksoi Meta.

Login to post comments