Duke nisur nga sot, për tri ditë në Kosovë shënohet 22-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 5, 6 dhe 7 Mars në vitin 1998 është zhvilluar njëra ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së kundër agresionit ushtarak të ish-Jugosllavisë.
Këtë ditë të shenjtë për historinë tonë kombëtare e kujton edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Përmes një postimi në Facebook, Basha nderon veprën e familjes Jashari dhe kujton edhe një herë amanetin e tyre.
Epopeja e familjes Jashari me në krye komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin vuri gjakun në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur! Sot përulemi me nderim përpara veprës se Adem Jasharit, familjes Jashari, bijave dhe bijve të Kosovës që dhanë jetën dhe kurrë nuk u dorëzuan para masakrave, terrorit dhe genocidit barbar.
Sot teksa gëzojmë lirinë e Kosovës kemi akoma shumë për të përmbushur amanetin e heronjve tanë në Shqipëri e Kosovë. Por jam i bindur se kombi do t'ja dalë të ndërtojë mbi sakrificat e martirëve, të nesërmen e dinjitetit dhe standarteve europiane.
Lavdi e pavdekshme komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, nderim përjetë familjes Jashari dhe bijve e bijave të Kosovës që dhanë jetën per liri!"
Forca të shumta serbe sulmuan familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe pas një rezistence të fortë, në Prekaz u vranë 55 persona ku më shumë se 20 prej tyre ishin fëmijë dhe gra.
Ndër të rënët ishin komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari, vëlla i tij Hamëz Jashari dhe babi i tyre, Shaban Jashari. Sakrifica e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, në Kosovë vlerësohet si kthesë e madhe qe i dha zgjidhje çështjes së Kosovës.