Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të kryetarit të Gjykatës së Apelit në Gjirokastër Dritan Banushit.
Sipas Komisionerit Dritan Banushi nuk ka nivel të besueshëm për konfirmim dhe i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ta shkarkojë.
NJOFTIMI I INSTITUCIONIT TË KOMISIONERËVE PUBLIKË
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Dritan Banushi, me funksion gjyqtar/Kryetar i Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm, vlerëson se, referuar gjëndjes së provave dhe fakteve të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe në konsideratë të juridiksionit rivlerësues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, subjekti i rivlerësimit, z. Dritan Banushi nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 229, datë 28.1.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të vendosë shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Dritan Banushi.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.