Kosova ka konfirmuar dje dy rastet e para me COVID-19 dhe menjëherë më pas qeveria njoftoi edhe masat e marra.
Ndërkaq qytetarë të shumtë në Prishtinë janë parë të premten mbrëma duke blerë sasi të mëdha ushqimesh dhe barnash.
Kjo ka ndodhur pasi autoritetet e shëndetësisë në Kosovë kanë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus.
Pamje të ngjashme kanë mundur të shihen edhe nëpër qytete të tjera të botës, të prekura nga koronavirusi.
Koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen COVID-19, ka shkaktuar deri më tash vdekjen e mbi 5,000 njerëzve në botë.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mbyllen kafiteritë, baret, restoranet dhe qendrat tregtare me përjashtim të dyqaneve ushqimore.
Transporti ndërurban dhe ndëkombëtarë është pezulluar po ashtu.
Kyeministri, Albin Kurti tha se është vendosur edhe mbyllja e kufijve tokësorë.
“Kjo nuk vlen për shtetasit e Kosovës. Të gjithë ata që hyjnë do të iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore”, tha Kurti.
Masat u ndërmorrën pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në Kosovë.
Qeveria ka vendosur që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat Klinë dhe Viti, ku kanë banuar dy personat e infektuar.
Kurti tha se nga 16 marsi do të pezullohen të gjitha linjat ajrore, përveç atyre ushtarake dhe atyre me ndihmë.