Pasi LDK vendosi të rrëzojë qeverinë e Albin Kurtit ku bën edhe vetë pjesë duke iniciuar një mocion mosbesimi, në Prishtinë kanë nisur ethshëm lëvizjet në prapaskenë. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka filluar takimet me kryetarët e partive të cilëve do tu kërkojë mbështetje për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Sipas asaj që raporton Televizioni T7, Mustafa ka takuar kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj. Takimi po zhvillohet në një nga hotelet e Prishtinës. Sot LDK-ja do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka njoftuar edhe mbledhjen e Grupit Parlamentar. Pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme nga kryeministri Albin Kurti, LDK-ja ka propozuar inicimin për mocion votëbesimi ndaj Qeverisë.
Kundër këtij mocioni në mbledhjen e djeshme të kryesisë së LDK-së ka votuar kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe ka abstenuar ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit i Qeverisë Kurti, Lumir Abdixhiku. Po sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar 8 zëvendësministra të rinj. ©LAPSI.al