Nga Sali Berisha.
Çdo njeri që do të lexojë këtë titull do të kujtojë se vërtet e kam fjalën për dy persona të ndryshëm, që kanë të përbashkët emrin Luigj. Por çdo njeri që mendon kështu gabon, në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me një person, por një Huomo Duplex.
Konkretisht njeri është shkëlqesia e tij, zoti Luigji Soreca, i cili në ushtrim të detyrës së tij si Ambasador i Bashkimit Europian në Tiranë vendos në rrjetin e tij social Twitter, njoftimin e Komisionerit të BE për Zgjerimin, Olivier, në të cilin ai njoftonte se kishte zhvilluar një bisedë me shefin e Opozitës shqiptare, z. Lulzim Basha, lidhur me vendimin e BE për negociatat me Shqipërinë dhe gjendjen e COVID-9.
Kurse tjetri është Luigji, ish-luftëtar i vendosur i Mafies italiane, por tani për të ardhur keq si viktimë e narko-mafies qeveritare, të narko-shtetit të vetëm në Europë.
Ky Luigj, heq pas dy orësh nga Twitter i tij, njoftimin për bisedën e zhvilluar midis Komisionerit dhe zotit Basha, që vetë e kishte vendosur. Ai e bën këtë pa dhënë asnjë shpjegim dhe pa u merakosur fare se ai është një akt lëndues për të gjithë ata që përfaqëson shefi i Opozitës së një vendi.
Përveç kësaj, ky është Luigji, i cili ditën e dhënies së dënimit qesharak për Sajmir Tahirin, i pyetur nga mediat për një koment, ai i zënë ngushtë, por duke akuzuar veten për shumëçka përgjigjet “se para se të flas, do të shoh dosjen, sepse jam prokuror”.
Kështu, Luigji ambasador foli sikur të ishte i akredituar si prokuror tek Edvin Mafia apo Don Agaçio. Ndërkohë deri sot prokuror Luigji nuk ka pasur kohë të shqyrtojë dosjen dhe t’ju flasë shqiptarëve si prokuror.
Luigji tjetër është përfolur për gjëra që unë i quaj zero, por shtoj këtu se ai është Luigji për të cilin Kushtetuta, vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit, njëlloj si për narko-mafien qeveritare të narko-shtetit të vetëm në Europë, të kryesuar nga Edvin Mafia dhe Don Agaçio, nuk ekzistojnë para vullnetit të këtyre dy të fundit.
Kështu, kur Edvin Mafia dhe Don Agaçio miratuan ligjin antikushtetues KÇK, ligj të cilin në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë si ligj antikushtetues, prokuror Luigji në mbështetje të këtij akti kushtetues, de facto të binomit mafioz Edvin Mafia - Don Agaçio, duke deklaruar se ai, prokurori, do vëzhgojë nga afër ligjin KÇK që dhunon Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut në dy nene, Kushtetutën së paku në tre nene, Kodin e Procedurës Penale në disa nene.
Pra miq, dy Luigjët, siç ju njoftova që në krye të radhës, janë një Luigj, por Duplex!
Nuk kemi ç’të themi, edhe shqiponjën e kemi me dy koka!