Paketa anti-COVID/ Dyfishimi i pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike dhe për ata që kanë aplikuar para 10 marsit, përfitojnë mbi 70 mijë familje

Saturday, 28 Mars 2020 18:14

Mbi 70 mijë familje përfitojnë që nga muaji prill nga vendimi i fundit i qeverisë për dyfishimin e ndihmës ekonomike dhe pagesës së papunësisë.

Në fletoren zyrtare u publikua vendimi sipas të cilit dyfishimin e ndihmës ekonomike e përfitojnë jo vetëm subjektet që rezultojnë përfitues të ndihmës ekonomike por edhe ata që kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars.

Po ashtu, në vendim përcaktohet se pagesa e së ardhurës nga papunësia do të dyfishohet edhe për subjektet që rezultojnë përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia, si dhe ata që kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars 2020.

“Pagesa e ndihmës ekonomike për subjektet përfituese, sipas vendimit nr.597, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, ‘Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike”, që rezultojnë përfitues të ndihmës ekonomike ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.
Pagesa e së ardhurës nga papunësia për subjektet përfituese sipas vendimit nr.161, datë 21.3.2018, të Këshillit të Ministrave, ‘Për pagesën e së ardhurës nga papunësia’, që rezultojnë përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars 2020, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.
Verifikimi, llogaritja dhe shpërndarja për përfituesit do të bëhet sipas procedurave të dokumentimit e të shpërndarjes nga institucionet e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.

Pagesa
Login to post comments