Tritan Shehu, politikani i PD, ka ngritur zërin sot për mijëra qytetarë shqiptarë që kanë mbetur rrugëve të botës për shkak të indiferencës që tregoi qeveria shqiptare për t’u mundësuar kthimin në atdhe dhe ca më keq akoma, pas një të ashtuquajturi operacion që u mbyll më parë se të hapej mbi lista udhëtarësh të përzgjedhur nuk dihet se si dhe nga kush.
Shehu i ka konsideruar deklaratat e Ramës për çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve, “ plot cinizëm e papërgjegjshmëri” dhe ka kërkuar publikisht të zbardhet cila ishte procedura sipas të cilës u zgjodhën kush duhej të hipte në avion dhe kush jo?!
“A mund të na shpjegojë Kryeministri si mund ta “përkthesh” ndryshe, deklarimin e tij se “vendet për të kthyer shqiptarët e mbetur jashtë, janë mbushur që përpara se të fillonte operacioni”?! – shkruan Shehu. - Nuk kemi të bëjmë këtu me biletat për një film a ndeshje futbolli që mbaruan, kemi të bëjmë me një detyrim kushtetues të shtetit ndaj qytetarëve të tij, me një operacion shpëtimi të detyrueshëm dhe që secili shtet i përgjegjshëm po e realizon me të gjitha mjetet; dhe mjetet e mundësitë janë edhe për ne.
Listat janë bërë prej kohësh, deklaron Kryeministri, duke lënë në mes të rrugëve, qindra banues vetëm në Shqipëri, shumicën pa mjete jetese.
Unë pyes: Kush i ka bërë këto lista, mbi çfarë kriteresh, kur u bë kjo, sepse kriteret Ministria e Jashtme i shpalli vetëm para dy ditësh?
Dhe akoma me keq u kërkon që të mos telefonojnë as në ambasadat tona, në vend që deri sa të transportoheshin, të identifikohen, të bashkëpunohet me Kryqin e Kuq, Gjysmëhënën e Kuqe, Caritas etj kudo ku janë për t’i ndihmuar sa më shumë, akomoduar, dhënë hua nga shteti ynë, etj.
Dhe diçka në fund, duke mos i sjellë e abandonuar ata nuk “mbrohet” Shqipëria, siç Rama deduktoi, përkundrazi, dhe ata janë pjesë e Shqipërisë.
Shqipëria e ata mbrohen duke i ndihmuar e trasportuar drejt atdheut sipas të gjitha rregullave epidemiologjike, gjë që mungoi krejtësisht në të kthyerit e djeshëm. Ku humbi “Lasgushi” kështu!?"