Paketa anti-Koronavirus/ Kush përfiton pagën minimale nga shteti dhe si mund ta marrë atë

Hënë, 30 Mars 2020 17:00

Kryeministri Edi Rama paraqiti më 19 mars një sërë masash financiare për të përballuar krizën nga koronavirusi dhe pasojat shoqërore dhe ekonomike të saj.

Për bizneset e vogla, qeveria ka parashikuar financim të drejtpërdrejtë për ditët e munguara të punës, bazuar në rregjistrat shtetëror.

Punonjësit e bizneseve të vogla dhe të vetëpunësuarit mund të përfitojnë 26,000 lekë në muaj nëse aktiviteti i tyre është mbyllur për shkak të masave kundër koronavirusit.

 

Vendimi i Këshillit të Ministrave hyri në fuqi ditën e dielë, 29 mars, dhe efekti i saj do të zgjasë për tre muaj.

 

Kush përfiton?

Përfitues të kësaj ndihme financiare janë të gjithë bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milion lekë në vit, që paguajnë tatim mbi fitimin (ose tatimin e thjeshtuar mbi fitimin). Këtu përfshihen të vetëpunësuarit, personat fizikë tregtarë dhe punonjësit e papaguar të familjes së tyre, si dhe personat juridikë.

Pagesat do të bëhen sipas listës së punonjësve të deklaruar nga biznesi. Për ato që i deklarojnë punonjësit çdo tre muaj, do të konsiderohet listëpagesa e tremujorit të fundit të 2019-ës. Ndërsa për bizneset që këtë deklarim e bëjnë çdo muaj, do të merret për bazë listëpagesa e janarit 2020.

Punonjësit që janë të regjistruar në më shumë se një punë do të përfitojnë vetëm një pagë minimale.

Si bëhet aplikimi?

Aplikimin e bën biznesi në mënyrë elektronike në faqen web të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ku plotëson të dhënat e biznesit dhe ato të punonjësve që do përfitojnë pagën në formularin e caktuar.

Brenda 10 ditëve të muajit pasardhës, drejtoritë rajonale tatimore do të bëjnë verifikimin e dokumentave dhe verifikimin në terren. Më pas Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do t’i dërgojë listën e individëve përfitues Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit e cila kryen pagesat. /Exit.al

Login to post comments