Presidenti Meta mesazh italisht në “RAINews24”: Do ia dalim! Kjo është një betejë e përbashkët

Hënë, 30 Mars 2020 17:31

Presidenti Ilir Meta thotë se Italia “do të paguajë një çmim vërtetë të lartë dhe është shumë e rëndësishme, që Italia t’ia dalë mbanë sa më shpejt të jetë e mundur dhe kjo është një betejë e përbashkët për të gjithë ne”.

Në një intervistë në “RAINews24”, kreu i shtetit shqiptar, thotë se dërgimi i një ekipi mjekësh dhe infermierësh shqiptar në Itali “është një demonstrim mirënjohjeje gjithashtu, që populli shqiptar ka për çdo gjë që Italia dhe populli italian kanë bërë historikisht, duke na ndihmuar në momentet më të vështira të vendit, të kombit tonë dhe të popullit tonë”.

Intervista e Presidentit Meta për televizionin italian 

Pyetje (Gazetari Andrea Gerli): Zoti President, a mund të na thoni se sa i rëndësishëm është misioni shqiptar në Itali dhe si u mor vendimi për të nisur një grup mjekësh dhe infermierësh në vendin tonë?

Presidenti Meta: Bungiorno Italia! Ce la faremo! Andra tutto bene! Ky mision humanitar është një demonstrim solidariteti i popullit shqiptar dhe i institucioneve shqiptare për Italinë dhe për popullin italian.

Nuk është një gjest i thjeshtë solidariteti, por është një demonstrim mirënjohjeje gjithashtu, që populli shqiptar ka për çdo gjë që Italia dhe populli italian kanë bërë historikisht, duke na ndihmuar në momentet më të vështira të vendit, të kombit tonë dhe të popullit tonë.

Është një marrëdhënie historike që daton prej shekujsh, qyshkur shumë arbëresh u detyruan të largohen nga Shqipëria për shkak të Perandorisë Otomane dhe u mirëpritën në Itali.

Pyetje: Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka shprehur falënderimet e tij të posaçme për misionin tuaj këtu. Sa e rëndësishme është sipas jush bashkëpunimi midis të gjitha vendeve për të luftuar koronavirusi-in?

Presidenti Meta:Është një sfidë e përbashkët, sepse është një kërcënim i përbashkët për vendet tona, për njerëzit tanë, në veçanti për marrëdhëniet midis popullit italian dhe atij shqiptar, që është shumë e fortë, duke marrë në konsideratë, jo vetëm të gjithë komunitetin shqiptar, e kam fjalën për atë arbëresh, që jeton në Itali, por edhe për komunitetin e ri të shqiptarëve të cilët erdhën në Itali gjatë tre dekadave të fundit.

Gjithashtu, duke patur në konsideratë edhe komunitetin italian këtu në Shqipëri, që po rritet vit pas viti. Në këtë drejtim, Italia do të paguajë një çmim vërtetë të lartë dhe është shumë e rëndësishme, që Italia t’ia dalë mbanë sa më shpejt të jetë e mundur dhe kjo është një betejë e përbashkët për të gjithë ne.

Ky është gjithashtu mesazhi kryesor i këtij ekipi prej 30 mjekësh dhe infermierësh, që janë dërguar në zonën më të prekur nga pandemia në veri të Italisë për të kontribuar sa të mundemi në mënyrë që të japim këtë mesazh të fortë solidariteti, por gjithashtu për të shkëmbyer eksperienca të reja në këtë betejë me një armik,që ende nuk e njohim.

Gazetari Andrea Gerli: Faleminderit për kohën tuaj zoti President!

Presidenti Meta: Faleminderit dhe ju për vëmendjen tuaj! Uroj më të mirën për ju dhe për të gjithë popullin italian. Andra tutto bene!

Modifikuar më Hënë, 30 Mars 2020 17:37
Login to post comments