Shtrohet në spital kryeministri britanik. Meta: Po e ndjek me shqetësim...

Diel, 05 Prill 2020 23:15

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, 55 vjeç, i cili doli pozitiv në testin e tij për COVID-19, është shtruar në spital.

Një prej zëdhënësve të 'Downing Street' është shprehur për mediat vendase se: "Duke marrë parasysh këshillën e mjekut, kryeministri u shtrua sot në spital për të kryer analiza të tjera".

"Ky është një hap parandalues pasi kryeministri vazhdon të ketë simptoma të koronavirusit edhe 10 ditë pas testit që e nxori pozitiv", shton zëdhënësi i Johnson.

Ndërkohë, edhe partnerja e Johnson, Carrie Symonds, është vetëizoluar në apartamentin e saj në Londër pas testit të kryeministrit.

Shtrimi i 55-vjeçarit erdhi vetëm pak minuta pas fjalimit historik të Mbretëreshës Elisabeth II

***

"Me shqetësim po ndjek gjendjen aktuale shëndetësore të z.Boris Johnson, Kryeministrit të Britanisë së Madhe".

Kështu e nis mesazhin e tij presidenti i Republikës Ilir Meta pas publikimit të lajmit se kreu i qeverisë në Londër është shtruar në spital për shkak të COVID-19.

"Me shqetësim po ndjek gjendjen aktuale shëndetësore të z.Boris Johnson, Kryeministrit të Britanisë së Madhe, këtij vendi mik e partner shumë të rëndësishëm të Shqipërisë.
Duke i uruar shërim të shpejtë dhe të plotë, i shpreh solidaritetin dhe mbështetjen time gjatë këtyre ditëve të vështira për të dhe familjen e Tij!

Shpresoj që Kryeministri Johnson të kthehet së shpejti me energji të reja në krye të angazhimeve të Tij tepër të rëndësishme, në dobi edhe të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve e popujve tanë!", shkruan në mesazhin e tij Meta.

 

Image

Login to post comments