Lleshaj ofendon shkodranët/ Ulqinaku: E papërgjegjshme është vetëm qeveria

Hënë, 06 Prill 2020 13:57

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ishte për vizitë në Shkodër, prej nga akuzoi qytetarët atje se janë të papërgjegjshëm.

“Jeni në dijeni të gjithë që në Shkodër kemi patur një ecuri negative ditët e fundit, e cila lidhet kryesisht me mungesën e përgjegjshmërisë. Dhe kam ardhur për të parë këto masa. Konstatoj që masat janë të pjesshme.

Shoh që në disa segmente, sidomos në tregjet e hapura ka probleme të mëdha. Kemi tregje që kanë më shumë shitës sesa blerës dhe ku nuk respektohen parametrat minimalë të mbrojtjes. Dua t’iu bëj një thirrje qytetarëve të Shkodrës që të kenë kujdesin dhe përgjegjshmërinë maksimale për jetën e tyre dhe jetën e të tjerëve. Kam folur me shumë njerëz gjatë rrugës sot që thonë, s’e vëmë maskën, sepse s’e praktikoj këtë punë,” tha Lleshaj.

Pas tij reagoi edhe ish-deputetja demokrate, Izmira Ulqinaku. Ajo tha se e papërgjegjshme është vetëm qeveria.

 “Ministri Lleshaj në intervistën e dhënë sot në Shkodër ka ofenduar qytetarët duke i cituar: "Kanë mungesë përgjegjshmërie".

Në të vërtetë mungesë përgjegjshmërie në këtë situatë ka treguar vetëm Qeveria Rama, e cila nuk zbaton rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë: test, test dhe gjurmim të të infektuarve.

Shkodra është shembulli se si Qeveria sillet me shqiptarët. Të vetmet deklarata që degjojmë janë ulërima për izolim e kërcënimet për burg. E lanë në mëshirë të fatit, e braktisën qytetin tonë. Asnjë test! Edhe në rastet e zbuluara asnjë gjurmim.

Pasi lejuan të hyjë Shkodra nën darët e Covid-19, tani bëhen të gjallë e vijnë e kakarisin si gjeli në grumbull të plehut.

Vizita e Lleshajt sot, i vlen vetëm propagandës e jo Shkodrës. Shkodrës kur i duhej mbështetja nga Qeveria, e braktisen. Tani, në vend që të shfryjë duf ndaj shkodranëve, do ishte e duhur të sillnin tamponë e të bënin qindra testime,” tha ajo.

Login to post comments