Kriza e ekonomisë dhe ekonomia e krizës

Tuesday, 14 Prill 2020 16:05
Nga Jorida Tabaku 
 

Jo më kot fabula e gjinkallës shpërdoruese dhe milingonës kursimtare ka qenë e përfshirë që herët në tekstet shkollore. Me gjasë brezat para nesh kanë mësuar prej saj,dikush për të mbajtur ekonominë e familjes,dikush tjetër një dyqan modest e të tjerë më të zotë për të ndërtuar një biznes të suksesshëm. Por me ç’kemi parë këto javët e fundit,mësimet e fabulës së famshme i kanë vlejtur dhe atyre qeverive që kanë hartuar dhe zbatuar politikat për të drejtuar ekonominë dhe financat e një shteti. Duke qenë të suksesshme dhe efikase për qytetarët e tyre.

Shumë qeveri e kanë e kanë nxënë mësimin e milingonës dhe kanë menaxhuar me kujdes dhe përgjegjshmëri buxhetin e shtetit duke qenë të përgatitur për krizën e shkaktuar nga corona virus. Të tjera,me ç’duket me nxënës të dobët kanë adoptuar sjelljet e gjinkallës duke shpenzuar buxhetin për blerje të padobishme,çka e ka lënë arkën e shtetit bosh në kohën e ‘ngricës’.

Shqipëria ka një muaj e pak ditë që jeton në karantinë. Mbi 95% e bizneseve janë mbyllur, pjesa e mbetur ka ngadalësuar aktivitetin, ndërkohë që bizneset e marketeve dhe furrat e bukës shfaqin përditë probleme në likuiditet. Kriza e COVID-19 për fat të mirë deri më tani nuk ka shkaktuar viktima, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është keqmenaxhimi i situatës financiare dhe ekonomike që dita ditës rëndon në xhepat e shpuar të shqiptarëve.

Raportet e fundit të Bankës Botërore dhe të FMN kanë projektuar një të ardhme jo fort të këndshme për ekonomitë e rajonit. Thuajse njëzëri ato kanë parashikuar rënie në remitanca, rritjen e papunësisë, rënie të konsumit, mbyllje të bizneseve me efekt uljen e rritjes ekonomike në masën nga 1 deri në 2% në skenarin më optimist. Ky parashikim konsiderohet shpresëdhënës gjithmonë nëse virusit do t’i gjendet një kurë dhe se përhapja e tij do të mund të ndalet brenda afateve kohore të pranueshme dhe të arsyeshme

Duke u nisur nga parashikimi – dhe jo hamendësimi – se rënia ekonomike është e afërt dhe mbi të gjitha ndjekur krizën ekonomike që përpara ardhjes së virusit, që në ditët e para të krizës opozita i parapriu përshkallëzimit të krizës ekonomike duke propozuar disa masa serioze, të realizueshme brenda mundësive të buxhetit e shtetit. PD ishte e qartë që në krye të herës gjinkalla e fabulës së La Fontenit ishte mëshiruar në buxhetin e qeverisë që pas tërmetit të 26 nëntorit. Ndërsa pandemia tregoi për të disatën herë të njëjtën dhe vetëm të njëjtën gjë – gjinkalla prapë s’ka asgjë në torbë, por vazhdon të çirret. Pavarësisht kësaj,pavarësisht dhe uljes së konsumit në nivele alarmante që në dhjetor 2019,opozita u tregua e gatshme të ofronte një paketë ekonomike,efikase dhe lehtësisht të zbatueshme edhe pse ‘gjinkallat’ e kanë zbrazur buxhetin.

Ne propozuam që qeveria shqiptare të ri-alokonte shumën prej 120 milion Eurove të programuara në buxhetin e shtetit për pagesat e PPP-ve tek biznesi i mesëm dhe i vogël. Sipas të dhënave të INSTAT, të publikuara vetëm në janar 2020, këto biznese përbëjnë 70% të sipërmarrjeve në vend dhe sjellin një vlerë të shtuar në ekonomi (pra kontribuojnë në ekonominë tonë) me 70%. Kontributi i këtyre bizneseve është dhe në punësim, pasi këto sipërmarrje punësojnë thuajse 70% të krahut të punës në vend.

Kriza që ka prekur vendin do të ketë efekte direkte në likuiditet e gjithsecilit prej këtyre bizneseve, të cilat kanë aftësi shumë më të vogla për ta absorbuar atë. Shumë qytetarë me gjasë kur të mbarojë karantina do të zbulojnë se ndoshta marrëdhënia e tyre e punësimit ka marrë fund. Të tjerë do të kenë vështirësi të rifitojnë të njëjtin nivel jetese, gjithsesi jo të kënaqshëm, pasi pagat do të jenë ulur akoma më shumë. Nëse qeveria do të kishte ndërmarrë masat e ri-alokimit, me gjasë 90 milionë Euro do të ishin të mjaftueshme për të siguruar paga minimale për rreth 200 mijë punonjws. Qeverisë nuk do t’i kushtonte shumë të ndërmerrte këto masa të jashtëzakonshme në kushte të jashtëzakonshme; as do të kishte bërë me anë të tyre një shpikje të guximshme. Përkundrazi, ato që propozoi opozita janë masa të ndërmarra nga qeveritë e vendeve të fuqishme si SHBA e deri në vende me buxhet dy herë më të vogël se i joni. Rasti i Kosovës është një shembull i përkryer. Dhe me këtë rast, pikërisht atëherë kur me Kosovën do të vlente më shumë se kurrë koordinimi i masave dhe politikave, bashkëpunimi vëllazëror duket se është i pari që kyçet në karantinë.

Në kohë krize çdo vend ka nevojë për udhëheqës që dinë të menaxhojnë mirë opsione fort të ngushta, duke qëndruar në mes të prirjes për të zvogëluar dhimbjen dhe nevojës për të balancuar riskun. Nuk jemi të parët, dhe as të vetmit që themi se pas kësaj pandemie, në fushën e ekonomisë asgjë nuk do jetë më si më parë. Pas çdo fatkeqësie, çdo vend e kërkon rimëkëmbjen, dhe edhe Shqipëria mund të nxjerrë nga kriza mësimet e saj, që nuk ka pse të jenë vetëm të hidhura – mjaft të mendojmë se çfarë mund dhe duhet të ndryshohet për të mbështetur oraret fleksibël, ekonominë online, takimet nga distanca, në mënyrë që ingranazheve të ndryshkura të shumë burokracive publike dhe private tu heqim fiktivitetin, ulim kostot dhe tu rikthejmë produktivitetin. Por kemi shumë për të bërë përpara se të arrijmë këtu.

Fatkeqësisht, në vend që të diskutonim çfarë duhet bërë më mirë sot, dhe nesër akoma më mirë, na duhet të dëshmojmë çdo ditë, se i vetmi inovacion që i ofrohet përdhunshëm këtij vendi ndodh – përsëri – në fushën e propagandës. Në qeverisjen tonë gjithnjë e më virtuale e që funksionon vnë rrjete sociale,përpjekjet e ndërmarra në fushën e planifikimit buxhetor, nuk janë në funksion të zgjidhjes së krizës por në funksion të propagandimit të individit që e ka shpallur veten shpëtimtarin prej saj. Në vend që të matim vrullin e furtunës, vazhdojmë të përdorim furinë e saj për të ngritur akoma më lart balonat e propagandës, të cilave kemi edhe kohën tu vëmë emra kundërshtarësh nga radhët e opozitës. Por në kohë krize, t’u frysh velave të populizmit do të thotë të kërkosh dekoratën e kotë që mediokrit ia fal vetëm injoranca.

Me gjasë, erërat e mbara të propagandës do të shpalosin një plan të ri ekonomik,ndërsa askush deri më sot nuk ka përfituar ende asnjë qindarkë nga paketa e parë.Fatkeqësia e këtyre paketave është se deri më tani është se nuk kanë prodhuar, zgjidhje por vetëm kaos, si në rastin e ndërhyrjes së tij të pamatur në marrëdhënien qiradhënës-qiramarrës, nga e cila u tërhoq, duke mbjellë akoma më shumë pasiguri dhe hutim.

Pasiguria dhe kaosi i intereson çdo qeverisjeje me prirje autoritare. Statistikat e qarta, informacioni i plotë, aksesi i publikut në të, do të nxirrnin në pah të vërtetën e hidhur që një pushtet i mësuar që paaftësinë e mbulon me autoritarizëm, përpiqet ta fshehë. Në pamundësi për të arrestuar virusin, qeveria i kërcënohet lirisë së qytetarëve; ajo përpiqet ta zhvlerësojë të vërtetën duke zëvendësuar faktet e pafavorshme me akoma më shumë propagandë, arrogancë dhe kaos. Të gjithë e kemi të qartë kjo as mund të mbushë xhepat e qytetarëve, as t’u gjejë punë shqiptarëve.

Ne gjithsesi do të vazhdojmë të propozojmë dhe të kërkojmë seriozitet nga kjo qeveri. Bindja jonë është se kriza ekonomike nuk kurohet as me zgjidhje partiake as me luftë ideologjike. Jemi të bindur që në kushtet e një buxheti të keq-menaxhuar këto 7 vjet, do të ishte më se e udhës që 120 milion Eurot e hedhura në tepsinë e koncesioneve të kanalizoheshin në ndihmë të shqiptarëve, pasi në fund të ditës ato janë taksat e tyre. Ekonomia e krizës nuk mundet në asnjë mënyrë të mbulojë krizën e ekonomisë, përkundrazi, ajo do ta zgjasë dhe thellojë atë.

Pikërisht në këto kushte, qeverisë i kërkohet reflektim. Përndryshe shumëkush me të drejtë mund të dyshojë se askush nga qeveria nuk ka nxënë asgjë nga fabula e thjeshtë e gjinkallës dhe milingonës. Në mos u ka pëlqyer gjinkalla,e nën shembullin e saj shpenzojnë dhe borxhin e marrë në emër të shqiptarëve për sheshe dhe rikonstruksion zyrash,ndërsa kriza është ulur këmbëkryq.

/Botuar në Monitor.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...