Kriza e koronavirusit ka bërë që marrëdhëniet mes Kinës dhe pjesës tjetër të botës, sidomos me pjesën Perëndimore, të acarohen ndjeshëm.
Tensionet u rritën një ditë më parë në Francë. Ministria e Jashtme franceze thirri ambasadorin kinez pasi ambasada publikoi një tjetër artikull në faqen e saj të internetit, duke kritikuar Perëndimin për mënyrën se si po e trajton krizën e koronavirusit.
“Ia bëra të qartë mosaprovimin tim për komentet e fundit të ambasadës,” tha kryediplomati francez, Jean-Yves Le Drian.
Komentet e bëra në faqen e ambasadës kineze sugjeronin se vendet perëndimore po i lënë të moshuarit të vdesin nëpër azilet e pleqve.
“Banorët e këtyre azileve po vdesin nga uria dhe sëmundja,” thuhet në shkrim.
Tensionet mes Kinës dhe Perëndimit u shtuan pas akuzave se Pekini ka fshehur përmasat e epidemisë së koronavirusit. Madje ka zëra në Perëndim se Kina duhet paditur për dëmet kolosale që i ka shkaktuar vendeve të botës.