“Evropës i duhet një plan Marshall për të dalë nga kriza e koronavirusit, duhen investime publike dhe private”. Kështu ka deklaruar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke prezantuar udhëzimet e BE-së për fazën 2. “Çelësi është një buxhet i fortë shtatë-vjeçar, i cili do të duhet të rindezë tregun e përbashkët, fragmentarizimi i tij duhet të shmanget”, shtoi ajo.
Aksionet e ndërmarra deri më tani “përfaqësojnë gati tre trilionë euro në BE dhe masa të tjera do të vijnë”, siç tregon rezultati i Eurogroup javën e kaluar.
Buxheti i BE-së do të jetë përgjigjja për virusin
Për Von der Leyen Europa “ka nevojë për një buxhet të ri disavjeçar, të fuqishëm”. Duke prezantuar hartës për daljen nga kufizimet ndaj Covid-19, numri një i Komisionit të BE-së vuri në dukje se “buxheti i ardhshëm i BE-së do të duhet të dallojë nga të tjerët, sepse do të duhet të japë përgjigjen evropiane ndaj krizës së koronavirusit”.
Të lirohen kufizimet në mënyrë graduale
Paraqitja e udhëzimeve për lehtësimin e masave kufizuese “nuk është një sinjal për të hequr sot masat e kufizimit, por për të siguruar një kornizë për vendimet e shteteve anëtare. Në përgjithësi ne rekomandojmë një qasje graduale. veprimi duhet të monitorohet vazhdimisht”.
Prioritet maskat për operatorët shëndetësorë
“Disa gjëra duhet të jenë të qarta në të gjithë Bashkimin Evropian” në lidhje me përdorimin e maskave mbrojtëse mjekësore, vazhdoi Ursula von der Leyen. “Prioriteti i takon operatorëve shëndetësorë. Nëse ka maska të tjera në dispozicion, këto mund të shërbejnë për të kufizuar infeksionin e koronavirusit, por është e rëndësishme që nuk mund të jenë kurrë zëvendësim për pajisjet dhe masat e tjera. Mund të jenë shtesë, plotësuese, por asnjëherë zëvendësim”.
Michel: Dixhitalizimi dhe marrëveshja e gjelbër janë shtyllat e rimëkëmbjes
Prioritetet dixhitale dhe marrëveshja e gjelbër “mund të jenë shtylla e rimëkëmbjes ekonomike evropiane”, theksoi nga ana tjetër Presidenti i Këshillit Evropian.
Një prioritet tjetër është “riparimi i tregut të përbashkët evropian” dhe “zhvillimi i një strategjie mbresëlënëse investimesh”. “Tregu i përbashkët – vazhdoi Michel – është një e mirë e përbashkët europiane, është zemra e zhvillimit evropian dhe kapaciteteve për kohezionin social. Është dëmtuar dhe prekur nga vendimet e marra” nga vendet anëtare për arsye shëndetësore.