Suksesi i rimëkëmbjes varet nga të gjithë Ne

E Enjte, 16 Prill 2020 09:35

Nga Bujar Leskaj/ Rritja e rolit të sektorit publik

Pandemia e COVID-19 na gjeti të gjithëve të papërgatitur. Patriarku Henri Kissinger, në një editorial të tij më datë 6 prill 2020, në gazetën “The Wall Street Journal”, me titull “Koronavirusi do të ndryshojë përgjithmonë rendin botëror”, shprehet se “Koronavirusi ka goditur me një forcë dhe egërsi të paprecedentë”.

Pandemia i ngjan një lufte dhe në shumë përmasa të saj është e tillë. Njerëzit po humbasin jetën dhe mjetet e jetesës. Mjekët dhe infermierët janë në vijën e parë të frontit. Punonjësit që ofrojnë shërbimet thelbësore, si shpërndarjen e ushqimeve, ilaçeve dhe shërbimeve publike, punojnë jashtë orarit për të mbështetur përpjekjen. Dhe janë ushtarët e fshehur, ata që luftojnë pandeminë të mbyllur në shtëpitë e tyre. Janë me miliarda qytetarë, të paaftë për të kontribuar plotësisht në prodhim.

Në një luftë, shpenzimet masive për armatime stimulojnë aktivitetin ekonomik dhe dispozitat e posaçme, që shpesh shkojnë ndesh me Kushtetutën dhe kufizojnë të drejta themelore të njeriut, sigurojnë shërbime thelbësore. Në këtë pandemi, gjërat janë më të ndërlikuara, por një tipar i përbashkët është roli i rritur për sektorin publik, për kontributin dhe vendim-marrjen e qeverisë dhe të bankës qendrore.

Lufta ndaj koronavirusit e gjeti Shqipërinë shumë të brishtë ekonomisht. Dëmi nga tërmeti i 26 nëntorit, sipas metodologjisë PDNA (Post Disaster Needs Assessment) të Bankës Botërore u llogarit 7,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, ose mbi 1 miliard euro. Sipas raportit të Bankës Botërore “Të luftosh Covid-19, Përditësimi Ekonomik i Europës dhe Azisë Qendrore”[1], botuar me 9 prill 2020, i cili parashikon një recesion (rënie) të ekonomisë sonë prej 1,4% “Nëse epidemia e COVID-19 do të zgjasë gjatë gjithë 3-mujorit të dytë të vitit 2020 ose të kthehet në vitin 2021, efektet negative në kërkesë pritet të jenë shumë më të mëdha dhe të vazhdueshme.

Një skenar në rënie të aktivitetit ekonomik që parashikon pasojat e koronavirusit vetëm për një vit (2020), si dhe rënie më të theksuar e të gjatë të çmimeve të naftës, do të sillte një ulje me 0,5 % të rritjes së PBB-së në vitin 2020, duke rritur më tej borxhin publik ndaj PBB-së, si dhe/ose duke e detyruar qeverinë të vonojë investimet pë rindërtimin nga tërmeti. Shqipëria është e prekshme ndaj riskut të largimit të investitorëve të huaj për shkak të situatës në tregjet ku eksportohet dhe mund ta ketë të vështirë të marrë financim të jashtëm”.

Nga ana tjetër, ndryshe nga kriza e vitit 2008, që preku vendet e zhvilluara për shkak se atje ishin aktive tregjet financiare dhe ndërlidhja e tyre ishte në nivel të lartë, kjo situatë prek direkt ekonominë reale, pra punëzënien në sektorët realë të prodhimit dhe shërbimeve, me tendencën drejt krizës së qartë në të ardhmen. Duke qenë se vendi ynë nuk ofron shumë produkte virtuale, të mbështetura në teknologjinë e informacionit, por produkte dhe shërbime që kërkojnë praninë në vendin e punës të gjithësecilit, që nga fermeri, peshkatari e blegtori në prodhim, tek muratori e inxhinjieri në ndërtim, apo farmacisti e bukëpjekësi në tregti, ringritja do të jetë e vështirë. Shkalla e automatizimit dhe informatizimit të ekonomisë sonë është ende në nivele të ulëta dhe shumë pak shqiptarë kanë mundur të punojnë nga shtëpia në degët e shërbimeve dhe akoma më pak në degët e prodhimit.

Në këtë këndvështrim, për qeverinë, bankën qendrore, institucionet e tjera dhe vetë qytetarët është i domosdoshëm dallimi i qartë i dy fazave:

Faza 1Lufta – Epidemia është në veprim të plotë. Për të shpëtuar jetët e njerëzve, masat kufizuese të përhapjes së virusit janë duke e tkurrur rëndë aktivitetin ekonomik. Mbetet të shpresojmë se kjo gjendje nuk do të zgjasë më shumë se deri në fund të 3-mujorit të dytë të këtij viti. Në këtë periudhë duhet ndihmuar fort dhe thellësisht ekonomia, me vetëm një prioritet mbi të, shëndetin e e popullates.

Faza 2Rimëkëmbja – paralelisht me epideminë dhe pas saj. Epidemia do të vihet nën kontroll në këtë periudhë, përmes të ashtuquajturit “imunitet të popullatës”, që do të kenë fituar shumica e qytetarëve dhe me masat e vazhdueshme të kujdesit profilaktik, por që janë më pak dëmtuese për ekonominë, nga sa është izolimi në shtëpi. Ndërsa gradualisht hiqen kufizimet, ekonomia rikthehet – ndonëse jo plotësisht – në funksionimin e saj normal.

Suksesi i ritmit të rimëkëmbjes do të varet nga politikat e ndërmarra gjatë kësaj periudhe. Këto politika duhet të sigurojnë që (1) punonjësit të mos humbasin punën e tyre, apo kur e humbasin, të marrin te ardhura normale për ta; (2) kompanitë, si ato të mesme, ashtu dhe ato të mëdha, sidomos në fushat kryesore të prodhimit dhe shërbimeve themelore, të shmangin falimentimin dhe rifillojnë punën, edhe pse në një nivel modest, (3) rrjetet e biznesit dhe tregtisë të ruhen; (4) të sigurohet që garantohet parimi i sigurisë për qytetarët e vendit. Këto janë kushte themelore, të cilat duhet të plotësohen në një shkallë sa më të lartë të mundshme që gjatë fazës së parë të kësaj situate(fazës së luftës-e cila, për të qenë më të saktë, duhet të quhet faza e luftës dhe e punës). Nëse ndihmesa të tilla realizohen me transparencë dhe masivisht, rimëkëmbja e ekonomisë ndodh më shpejt dhe më mirë. Kryefjala e politikave të rimëkëmbjes duhet të jetë “likuiditeti”.

Sipas ekspertëve të FMN-së Giovanni Dell’AricciaPaolo MauroAntonio Spilimbergo dhe Jeromin Zettelmeyer në studimin e tyre “Politikat ekonomike për luftën ndaj Covid 19”  të datës 1 prill 2020 [2], “Ndërhyrja më e madhe e qeverisë justifikohet nga urgjenca për ndihmë, për sa kohë që rrethanat e jashtëzakonshme vazhdojnë. Ndërkohë, shërbimet e ofruara nga paketat qeveritare dhe ndërhyrjet nga bankat qendrore duhet të jepen mbi kushte praktike dhe të kenë aksesueshmëri të plotë nga qytetarët që përfitojnë, duke garantuar klauzola të qarta dhe transparente për ta”.

Politikat në mbështetje të familjeve, bizneseve dhe sektorit financiar kanë nisur të ofrohen në pothuajse të gjitha vendet e botës, si një kombinim i masave të likuiditetit (sigurimin e kredisë, shtyrjen e detyrimeve financiare) dhe masave për sigurimin e aftësisë paguese (transferimet e burimeve reale). Shih tabelën e mëposhtme të përgatitur nga FMN.

Tabele: Masat që po zbatohen në shumicën e vendeve të botës

Kategoritë që përfitojnë Likuiditet Mbijetesë
 

Qytetarët

Pezullimi i përkohshëm i pagesave të kësteve të kredive Dërgimi i parave në shtëpi (transferta në cash)
Riskedulimi në kohë (shtyrja) e pagesave të taksave dhe kontributeve shoqërore Pagesë e papunësisë së përkohshme
Bizneset Shtyrje e kredive të maturuara Injeksione likuiditeti (cash)
Riskedulimi në kohë (shtyrja) e pagesave të taksave dhe kontributeve shoqërore Subvencione për të mbajtur punonjësit
Blerja e aksioneve, bonove dhe obligacioneve të kompanive Subvencione të drejtpërdrejta, bazuar në shitjet e mëparshme
Kredi e drejtpërdrejtë nga banka qendrore  
Garanci sovrane për kreditë e reja  
Sektori Financiar Dhënie likuiditeti për ndërmjetësuesit financiarë (bankat dhe institucionet e tjera të kreditit) Injeksione likuiditeti
Veprim për të ruajtur likuiditetin në treg Garanci qeveritare

Burimi: FMN, 1 prill 2020, https://blogs.imf.org/2020/04/01/economic-policies-for-the-covid-19-war/

Në editorialin e tij për gazetën “The New York Times”[3] të datës 16 mars 2020 , studiuesi dhe publicisti me famë botërore për çështjet ekonomike Ruchir Sharma, autor i librave bestseller “Kombet shpërthyese” (2012), “Ngritja dhe Rënia e Kombeve” (2016) dhe “Dhjetë Rregulla të Kombeve të Suksesshëm” (2020-Libër promovimi i të cilit do të kryhej më 26 mars 2020 në Filadelfia, por që u anullua për shkak të pandemisë), thekson se “Koronavirusi kërcënon të nisë kontaminimin financiar në një ekonomi botërore me cenueshmëri shumë më të ndryshme sesa në prag të krizës financiare globale 12 vjet më parë. Bota është tani më thellë në borxhe nga ç’ishte kur u godit nga kriza e fundit e madhe. Por vatrat më të mëdha dhe më të rrezikuara të borxheve janë zhvendosur nga familjet dhe bankat në Shtetet e Bashkuara, të cilat u kufizuan nga rregullatorët pas krizës, në kompanitë dhe koorporatat në të gjithë botën.

Ndërsa bizneset merren me perspektivën e një ndalese të papritur të fluksit të tyre të parave, më të ekspozuarit janë një brez relativisht i ri i kompanive që tashmë luftojnë të paguajnë kreditë e tyre. Kjo klasë përfshin “zombies” – kompani që fitojnë shumë pak, aq sa për të paguar interesat për borxhin e tyre dhe mbijetojnë vetëm duke emetuar një borxh të ri.

Në pjesë të tjera të botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, thirrjet po rriten për politikë-bërësit që të ofrojnë mbështetje të fortë shtetërore për sektorin e brishtë të koorporatave. Sa më gjatë që koronavirusi të vazhdojë të përhapet me ritmin e tij aktual, aq më shumë ka të ngjarë që kompanitë “zombies” të fillojnë të falimentojnë, duke depresionuar më tej tregjet dhe duke rritur rrezikun e shkatërrimit më të gjerë financiar”.

Është parësore që përpjekjet për ringritjen ekonomike të nisin gjatë pandemisë. Gjatë kësaj kohe duhet të ruhet aftësia paguese e sipërmarrjeve që punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish, si dhe atyre duhet t’u mundësohen mjete financiare të mjaftueshme, në rastet kur i kanë ezauruar, që të rinisin aktivitetin ekonomik me heqjen graduale të kufizimeve të prodhimit dhe shërbimeve. Rrjedhimisht, roli i shtetit në ekonomi, nga një aktor më së shumti social dhe rregullues, duhet të shndërrohet gjatë kësaj periudhe në një rol mirëfilli sipërmarrës. Shteti duhet të japë garanci afatshkurtra dhe afatgjata, sinjale pozitive dhe transparente, të rialokojë fonde dhe të orientojë si duhet ekonominë.

Nga mbyllja në shtëpi tek ringritja

Në mënyrë të ngjashme me qasjen që propozon Sharma, edhe Patriarku Henri Kissinger në editorialin në “The Wall Street Journal”, nënvizon se “Kombet bashkojnë dhe lulëzojnë, bazuar në besimin se institucionet e tyre mund të parashikojnë fatkeqësi, të ndalin impaktin e tyre dhe të rivendosin stabilitetin”.

Promovimi i rimëkëmbjes do të ketë sfidat dhe sakrificat e veta, duke përfshirë nivele më të larta të borxhit publik dhe ndoshta pjesë të sektorëve të ekonomisë do të vihen nën kontrollin e përkohshëm të qeverisë. Por suksesi relativ në fazën 1 do të sigurojë që ekonomia të mund të kthehet në funksionimin e saj normal. Ja përse, mbi bazën e postulateve të Kissinger dhe Sharma, theksoj se ringritja ekonomike lind në këtë kohë pandemie.

 Sipas ekspertëve të FMN-se të cituar më sipër[4], “Masat fiskale për të rritur kërkesën do të bëhen gjithnjë e më efektive, pasi më shumë njerëzve u lejohet të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kthehen në punë. Gjatë epidemisë, parandalimi i ndërprerjeve të mëdha në zinxhirët e furnizimit duhet të shmangë inflacionin e pakontrolluar gjatë fazave të urgjencës dhe rikuperimit. Nëse masat për të kufizuar përhapjen e virusit janë të suksesshme, rritja e domosdoshme e borxhit publik në raport me PBB-në do të jetë e konsiderueshme, por normat e interesit dhe kërkesa agregate ka të ngjarë të qëndrojnë të ulëta në fazën e rikuperimit.

Para pandemisë, në shumicën e ekonomive në botë, normat e interesit dhe inflacioni ishin parashikuar të ishin të ulëta për një kohë të gjatë. Në këto rrethana, stimuli fiskal do të jetë i përshtatshëm dhe shumë efektiv në shumicën e ekonomive dhe kjo do të lehtësojë daljen nga masat e jashtëzakonshme të paraqitura gjatë krizës”.

 Tek ne në Shqipëri, paketa e parë e ndihmës e rriti deficitin buxhetor nga 2,2% në 3,9% të PBB-së (Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, Akti Normativ Nr. 6, dt. 21.03.2020. Fletorja Zyrtare Nr. 45/2020). U krye ripërmasimi i buxhetit, duke synuar një rritje minimale ekonomike 2% të PBB-së.

Në kushtet kur parashikimet e fundit për Eurozonën tregojnë për recesion në nivele 4-6% të ekonomive kryesore të saj, nuk mund të flitet për sigurimin e një rritjeje minimale ekonomike tek ne. Ekonomia jonë është shumë e ndërlidhur me ekonomitë italiane dhe greke në Eurozonë dhe ulja e kërkesës për eksportet shqiptare në këto vende do të jetë evidente. Në këtë këndvështrim, për të nxitur rimëkëmbjen e ekonomisë, ndërhyrjet e Planit të dytë të ndihmës së qeverisë, i anoncuar të bëhet publik në këto ditë nga Kryeministri dhe Ministri i Rindërtimit, duhet të përfshijnë(dhe besoj qe qeveria i ka parashikuar) edhe modalitetet për të mbështetur ato sipërmarrje nga kompanitë e mesme dhe të mëdha të vendit, të cilat po përballen me mungesë të theksuar likuiditeti dhe e kanë shumë të vështirë për të përballuar pagesat e punonjësve të tyre, të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, megjithë garancinë sovrane të ofruar nga qeveria prej 100 milionë dollarë në Planin e Parë. Vlerësoj emetimin përpara disa ditëve të obligacionit qeveritar 2-vjeçar me vlerë 100 milionë euro në tregun e brendshëm, si një mjet efektiv për sigurim fondesh.

Transparenca

Henri Kissinger, në editorialin e tij, thekson se “Ruajtja e besimit të publikut është thelbësore për solidaritetin shoqëror, marrëdheniet e shoqërive me njëra-tjetrën dhe paqen e stabilitetin ndërkombëtar”.

 Transparenca dhe llogaridhënia, si parimet bazë të OECD-së për sigurimin e mirëqeverisjes, duhet të shoqërojnë programet e ndihmës së Shtetit në situatën kritike dhe pas saj. Qeveritë nuk kanë pse t’i bëjnë të vetme ndërhyrjet për ringritjen e ekonomisë, edhe pse përgjegjësia kryesore u takon atyre. Qeveritë duhet të bashkojnë forcat dhe të bashkëpunojnë me opozitën. Në shumë vende, qeveritë po rrisin transparencën e ndërhyrjeve të tyre, duke mirëpritur dhe vlerësuar mendimin e ekspertëve ekonomikë të opozitës, botës akademike, shoqërise civile dhe shoqatave të biznesit. Më datën 8 prill 2020, Përfaqësuesi i OECD-së në Shqipëri, Bagrat Tunyan i përcolli zyrtarëve të lartë të Qeverisë dhe partnerëve të SIGMA-s në Shqipëri një përmbledhje të përgatitur nga SIGMA mbi pervojat se si e kanë menaxhuar situatën e Covid 19 vendet anëtare të BE dhe disa vende të përzgjedhura të OECD-së.

 Qeveria shqiptare, duke mësuar nga përvojat më të mira, duhet të përfshijë dhe këshillohet në vendim-marrje nga palët e tjera të interesit, opozita, organizatat profesionale të punës dhe shoqëria civile. Ajo nuk e ka luksin të stigmatizojë dhe ironizojë propozimet alternative të opozitës. Për hir të së vërtetës, shumica e propozimeve si të drejtuesit të opozitës z. Lulzim Basha dhe të liderit historik të saj Prof. Dr. Sali Berisha kanë qenë koherente me nevojat konkrete të shoqësisë sonë sot, sidomos të shtresave në nevojë, biznesit të vogël, por edhe atij të konsoliduar. Në rast se do të mungojë ky mirëkuptim dhe bashkëpunim, duhet të theksoj se konfuzioni në periudha pandemish shton më tepër panikun, mosbesimin e për rrjedhojë zgjat dhe thellon situatën kritike.

 Plani i ri i qeverisë për paketën e dytë të ndihmës duhet të jetë transparent, i diskutuar me sektorin e prodhimit, tregtisë dhe atë bankar, i dakordësuar politikisht për prioritetet, dhe, më e rëndësishmja, i detajuar për nga mënyra e funksionimit.

 Në mënyrë të përmbledhur, për ndërhyrjen e ardhshme të qeverisë, të anoncuar në formën e  një pakete të dytë të ndihmës, e cila është bërë e ditur se do të bëhet efektive në ditët e ardhshme, modestisht do të sugjeroja që të përqëndrohej vëmendja edhe në këto masa të mëposhtme, në formën e një dekalogu modest:

  1. Rishikimi dhe tkurrja e buxhetit, shkurtimi drastik i shpenzimeve operative, si të qeverisë qendrore, ashtu dhe asaj vendore. Ne në KLSH shkurtuam 40% të investimeve për këtë vit dhe 10% të shpenzimeve operative, dhe mendojmë se ka ende hapësira për shkurtimeve të tjera. Ky rishikim buxheti duhet kryer me përparësi në të gjitha njësitë buxhetore dhe ndërmarrjet shtetërore. Është domosdoshmëri planifikimi i buxheteve edhe sipas metodës së stress testit, për të krijuar buxhete fleksibël, sipas skenarëve të mundshëm të ekonomisë. Ne nuk kemi luksin per rehabilitime sheshesh dhe fasadash për këtë vit dhe ndoshta edhe për vitin tjetër. Si KLSH sot i dërguam një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik, në mbështetje të propozimit të tyre për bllokimin dyjavor të tenderave publikë, duke kërkuar që ky afat të shtyhet edhe më tej (duke përjashtuar tenderat për shërbimet thelbësore) Plani i qeverisë për paketat e ndihmës duhet bërë duke rialokuar shpenzimet e parashikuara qeveritare në afat të shkurtër (për këtë vit) dhe afat të mesëm. Prioriteti kryesor i rialokimeve duhet të jetë ruajtja e shpenzimeve që injektojnë likuiditet tek masa e popullatës, jo vetëm tek një grup i vogël kompanish, si dhe vazhdimi vetëm i investimeve vërtet të domosdoshme në këtë situatë.
  2. Hartimi i një plani emergjence për të gjitha ato ndërmarrje që do të jenë të detyruara të pezullojnë aktivitetin dhe për të punësuarit e tyre që do të humbasin përkohësisht vendin e punës, pavarësisht nga madhësia e sipërmarrjes (pra jo vetëm për biznesin e vogël të fashës 20-140 milionë lekë xhiro në vit).
  3. Me të drejtë dhe në kohë qeveria lëshoi garancinë sovrane. Në një garanci sovrane, qëllimi i shtetit është të ndihmojë bizneset në vështirësi që të mos falimentojnë, por t’i rikthehen prodhimit dhe shërbimeve. Ndihmesa e njëanshme vetëm për të përballuar pagat e punonjësve që nuk punojnë nuk mjafton. Bankat tregtare duhet të marrin pjesë të riskut në kreditë, si për përballimin e pagave, ashtu dhe për sigurimin e lëndëve të para për prodhim dhe për eksport. Lëndët e para për prodhim dhe eksport janë bazat për rifillimin e qëndrueshëm të prodhimit në shkallë vendi. Plani i dytë qeveritar i mbështetjes duhet të kërkojë më tepër bashkëpunim me sistemin bankar, në nivel të pezullimit të përkohshëm më të shtrirë në kohë (përtej tre muajve të tanishëm) të kredive të bizneseve të mesme dhe të mëdha, në kushte të vërtetuara të vështirësive ekstreme për të rifilluar aktivitetin (sektori fason, ai i turizmit, etj.). Ky bashkëpunim mund të marrë edhe formën e financimit si emetim likuiditeti nga ana e bankës qendrore, e cila duhet thënë që në këtë periudhë po punon shumë mirë në drejtim të vendim-marrjes dhe sigurimit të likuiditetit. Sigurisht që norma e interesit duhet të qëndrojë e ulët gjatë situates kritike dhe rimëkëmbjes, por nuk duhet toleruar më situata, kur bankat e nivelit të dytë, ndonëse kanë ulur normat e depozitave, duke filluar nga mesi i Marsit 2020, nuk kanë vepruar njëlloj me normat e interesit të kredive. Sektori bankar nuk mundet të vijojë të sigurojë fitime pa risk, si të ishte një gjendje normale. E rendesishme eshte qe garancia sovrane e qeverise u perjashton riskun e humbjes. Bankat duhet të ndajnë riskun me bizneset dhe Shtetin, përsa i përket masave për mbështetjen e biznesit të mesëm dhe të madh në vështirësi serioze për të rifilluar prodhimin dhe shërbimet.
  4. Pezullimi afatmesëm (2-3 vjet), për shkak të rikonfigurimit të buxhetit afatmesëm, i kontratave koncesionare PPP që nuk kanë filluar nga zbatimi, pse jo dhe anullimi i atyre që për nga problematika e gjetur në auditimet e zhvilluara, KLSH i ka përcjellë Kuvendit dhe Qeverisë propozimin për anullim. Duhen parë mundësitë për të biseduar dhe rënë dakord me kompanitë vendase përfituese të kontratave koncesionare, të cilat ende nuk kanë hyrë në zbatim.
  5. Më tepër përkujdesje për evidentimin dhe ndihmesën ndaj të punësuarve në të zezë, duke mos e lënë identifikimin e tyre vetëm në nivel të denoncimit spontan për largimin nga puna. Qëndrimi në të zezë i mijëra të punësuarve nuk eshte pergjegjesia e tyre, por është përgjegjësia e institucioneve përkatëse shtetërore që mbikëqyrin tregun e punës. Shteti nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj tyre. Ka mënyra indirekte për t’i identifikuar dhe kontaktuar ata dhe këto mënyra duhet të shfrytëzohen, për t’i përfshirë në paketën e ndihmës dhe, në të ardhmen, për të vazhduar një jetë normale, me siguracione kontribuese në skemën e sigurimeve sot dhe për veten e tyre nesër.
  6. Pezullimi për 1 vit i çdo pagese buxhetore për kontratat koncesionare të llojit PPP që janë në proces për shkak të emergjencës nga fatkeqësia natyrore. Është e domosdoshme që qeveria të bisedojë me kompanitë vendase përfituese të këtyre kontratave, duke gjetur mirëkuptimin e tyre për këtë pezullim të detyruar (kuptohet, duke përjashtuar pagesën e pagave për punonjësit). Në një kohë të dytë, duhet të rishikohen kontratat, natyrisht duke mos cënuar në mënyrë arbitrare kushtet kontraktuale, por duke u bazuar në gjetjet e KLSH, të cilat vlerësohen si nga Shteti dhe kontraktorët se qëndrojnë (për mendimin tim, gjetjet dhe rekomandimet tona qëndrojnë të gjitha, por është binomi qeveri-koncesionar qe duhet te vendose, ne respekt te ketyre gjetjeve dhe ndjeshmerise popullore, me qellim qe te mos shperdorohet leku i takspaguesve shqiptare sot dhe ne te ardhmen).
  7. Riskedulimi i pagesës së tatim-fitimit për 6-mujorin e dytë të këtij viti, edhe për biznesin e mesëm dhe të madh në vështirësi serioze, për t’i dhënë mundësi edhe kësaj fashe thelbësore të biznesit tek ne të marrë veten dhe të rifillojë aktivitetin. Përdorimi i defiçitit dhe borxhit publik për të ndihmuar këto sipërmarrje për 3-4 javët në vijim dhe ndoshta edhe më shumë, do të japë efekte tejet pozitive, sidomos në lehtësimin e situatës së atyre bizneseve të mëdha dhe koorporatave që punësojnë një numër të ndjeshëm punonjësish.
  8. Qeveria ka edhe një instrument tjetër për të siguruar fonde, duke e rritur nivelin e borxhit të brendshëm, duke shitur direkt tek popullata (jo tek bankat), në mënyrë që të aktivizohen paratë që flejnë në depozitat bankare dhe që janë në nivele disa dhjetëra qindra milionë euro dhe dollarë. Këtë duhet ta bëjë, edhe sepse emetimi tek popullata ul interesin qeveritar që paguhet për to. Të njëjtën gjë bënë edhe SHBA-të gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore për të financuar me normë të ulët shpenzimet e luftës dhe mbajtur nën kontroll inflacionin. Të mos harrojmë që blerësit kryesore të letrave qeveritare në Shqipëri janë bankat, të cilat shfrytëzojnë për këtë qëllim depozitat e familjeve kursimtare. Normat e interesit me të cilat bankat i blejnë këto emetime, përfshijnë edhe marzhin e fitimit që ato synojnë, marzh i cili në këtë periudhë lufte duhet të jetë tejet minimal, në mos zero, në respekt të interesave të biznesit dhe qytetarëve, pra gjithë shoqërisë.
  9. Kthjellimi dhe konkretizimi i politikave të sigurisë kombëtare për të ardhmen, duke i plotësuar ato ekzistuese dhe krijuar politika të reja, në përputhje me realitetin e ri të krijuar nga pandemia. Për t’i dhënë një ngjyrim letrar kësaj analize, citoj fundin e romanit “Murtaja” të shkrimtarit nobelist Albert Camys, përkthyer mjeshtërisht nga përkthyesi Bashkim Shehu, në lidhje me meditimin final të heroit kryesor, doktorit Rië, simboli i shërbestarit të qytetarëve gjatë murtajës dhe njëherazi dëshmitari dhe kronikani kryesor i kësaj periudhe, kur shikonte qytetarët e tij që të gëzonin me hare në fund të murtajës afro njëvjeçare “Kjo hare ishte gjithmonë e rrezikuar, se bacili i murtajës nuk vdes dhe as zhduket ndonjëherë, se mund të rrijë me dhjetëra vite i fjetur…, se pret me durim që të vijë dita kur, për fatin e keq të njerëzve dhe që t’u bëhet mësim, murtaja do t’i zgjojë minjtë e saj dhe do t’i dërgojë për të ngordhur në ndonjë qytet të lumtur” (faqe 303 e librit).
  10. Patriarku Kissinger shprehet në editorialin e tij se “Asnjë vend, madje as SHBA-të, nuk mund të kapërcejnë këtë situatë të shkaktuar prej virusit thjesht me përpjekje kombëtare. Adresimi i nevojave të momentit duhet të shoqërohet përfundimisht me një vizion dhe program global bashkëpunues”. Për kapërcimin e pasojave ekonomike të Covid 19, krahas ndihmës së madhe që po marrim nga SHBA dhe BE( ndihmë e cila do të vijohet pa diskutim si një bashkëpunim permanent me aleatët tanë strategjikë) Qeveria jonë ka nevojë të bashkëveprojë dhe të shtrijë edhe me tej bashkëpunimin rajonal me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Sot, më shumë se kurrë, diplomacia publike duhet të jetë në shërbim të asaj ekonomike.
 

Në zbatim të misionit tonë kushtetues për auditimin e përdorimit të fondeve publike me efiçience, efektivitet dhe ekonomicitet, ne si KLSH do të auditojmë zbatimin e politikave qeveritare në paketat e ndihmës gjatë dhe pas situates kritike të shkaktuar nga Covid 19, duke ndihmuar në mbajtjen të përgjegjshme të strukturave publike që realizojnë ndihmesat ndaj popullsisë dhe biznesit dhe duke u përpjekur për të vijuar punën me auditime online, për të plotësuar në vjeshtë, në rradhë të parë kryedetyrimin tonë kushtetues, Raportin e Zbatimit të Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2019, si dhe për të rritur transparencën e përdorimin të fondeve publike, gjë të cilën gjatë kësaj periudhe e kërkon me plot të drejtë opozita dhe shoqëria civile. Ne në KLSH kemi ngritur një grup pune që mbledh denoncimet në media dhe do të marrim parasysh këto denoncime kur të auditojmë institucionet e përfshira në to, por për këtë do zgjerohem në një shkrim tjetër.

  1. Henri Kissinger, “Koronavirusi do të ndryshojë përgjithmonë rendin botëror”, editorial, The Wall Street Journal, 6 prill 2020. https://www.wsj.com/articles/the-coronavirus-pandemic-will-forever-alter-the-world-order-11585953005
  2. Banka Boterore, Raport, “Të luftosh Covid-19, Përditësimi Ekonomik i Europës dhe Azisë Qendrore”https://openknowledge.worldbank.org/bitstream/handle/10986/33476/9781464815645.pdf?sequence=4&isAllowed=y
  3. Tabele nga FMN. https://blogs.imf.org/2020/04/01/economic-policies-for-the-covid-19-war/
  4. Giovanni Dell’AricciaPaolo MauroAntonio Spilimbergodhe Jeromin Zettelmeyer, “Politikat ekonomike për luftën ndaj Covid 19”, 1 prill 2020,
  5. Ruchir Sharma, “Si koronavirusi do te shkaterroje ekonomine”, editorial, The New Jork Times, 16 mars 2020,   https://www.nytimes.com/2020/03/16/opinion/coronavirus-economy-debt.html

[1] Banka Boterore, Raport, “Të luftosh Covid-19, Përditësimi Ekonomik i Europës dhe Azisë Qendrore”https://openknowledge.worldbank.org/bitstream/handle/10986/33476/9781464815645.pdf?sequence=4&isAllowed=y

[2] https://blogs.imf.org/2020/04/01/economic-policies-for-the-covid-19-war/

[3]Ruchir Sharma, “Si koronavirusi do te shkaterroje ekonomine”, editorial, The New Jork Times, 16 mars 2020,   https://www.nytimes.com/2020/03/16/opinion/coronavirus-economy-debt.html

[4] Giovanni Dell’AricciaPaolo MauroAntonio Spilimbergo dhe Jeromin Zettelmeyer, “Politikat ekonomike për luftën ndaj Covid 19”, 1 prill 2020,  https://blogs.imf.org/2020/04/01/economic-policies-for-the-covid-19-war/

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...