Nga Ilir Nikolla
Me identifikimin e djalit që ka infektuar prindërit e tij, Edi Rama nisi provat gjenerale për fazën e dytë të gjendjes së jashtëzakonshme, atë të ndëshkimeve si leksion e si shpagim për paaftësinë e shfaqur në menazhimin e krizës. Djali asimptomatik do të bëhet shembull e do të shihet reagimi i shoqërisë, se si do të gëlltitet zbatimi në terren i ligjeve të reja të miratuara nga parlamenti.
Nëse, ashtu si mendohet, gjithçka do të shkojë sipas parashikimit, me linçimin publik të djalit-kriminel që infektoi prindërit e tij, hapen perspektiva shumë rozë për qeverinë. Më tej do të jetë shumë më e thjeshtë zbatimi i propagandës “e shihni se nuk e kishte qeveria fajin, as për vonesat, as për infektimin e burgjeve e as për infektimin e fasonerive, por njerëzia që s’i njeh rregullat e nxjerra nga hyqymeti”. Në listën e fajtorëve për daljen e epidemisë nga kontrolli afërmendsh do të përfundojë e para opozita, e cila ka inkurajuar njerëzit të mos i binden hyqymetit, pastaj do jetë radha e gjindjes së pagdhendur, që nga natyra nuk i bindet hyqymetit, e në fund, armiqtë e brendshëm e të jashtëm, të cilët nuk ja duan të mirën shqiptarëve dhe as suksesin qeverisë.
Por si fillim duhet prova gjenerale, kryqëzimi i dikujt e dënimi i tij formal si shpërndarës i koronavirusit. Ky dënim me tamtame do ta bënte krejt të parëndësishëm hetimin për mosveprimet e qeverisë në muajin shkurt, për menazhimin skandaloz të marsit si dhe për tenderat korruptivë të prillit për tampone e kite. Çfarëdo hetimi e ligjërimi për mosveprimin e qeverisë do të fashitej nga zhurma linçuese ndaj djalit që ka infektuar babanë, ndaj pleqve që s’rrinin dot të mbyllur brenda e ndaj atyre njerëzve që kanë dalë të punojnë, edhe pse qeveria kish dhënë urdhër që të mos punohej.
Kultura e gjetjes së fajtorëve paradhënie shërben edhe për fazën e përtejqershorit, nëse gjendja e jashtëzakonshme edhe formalisht do të mbyllet në Shqipëri dhe palët politike do të kenë lirinë t’i kthehen politikës tradicionale. Pas këtij momenti, kryeministri do ta ketë rrugën e hapur për narrativën “I vetëm përballë virusit dhe bashkëpunëtorëve të tij”. Fletëlavdërimet do të shumëfishohen, librat me kujtime nga beteja e pabarabartë mes vetmitarit në qeveri dhe armiqve do të mbijnë për qëllimet elektorale të 2021-it dhe sa hap e mbyll sytë linçimi i sotëm i djalit asimptomatik që ka infektuar prindërit e tij të moshuar do të inkuadrohet brenda ofertës së re politike të kryeministrit.
Kjo propagandë në kulm të krizës është pjesë e revolucionit permanent që kërkon të mbajë gjallë Edi Rama, është revolucioni i mosqeverimit dhe i privatizimit të buxhetit të shtetit, paketuar me shurdhimin e çfarëdo alternative qeverisëse me forcën e fondeve të shtetit dhe ndihmave nga bota e krimit. Nga linçimi i sotëm i djalit asimptomatik rrezikon të ngrihet alternativa e qeverisë për zgjedhjet e ardhshme, prandaj skrupujt “të heshtim, sepse me të vërtetë, prindërit e djalit u infektuan” duhen lënë mënjanë. S’mund të ketë unitet me një qeveri që e ka bërë koronavirusin aleate të vetën, por ndërkohë po qëndis me paratë e taksapaguesve ofertën e re politike “I vetëm përballë virusit dhe bashkëpunëtorëve të tij”.