Nga Erjon Skëndaj
Sot janë raportuar zyrtarisht 34 raste të reja me Covid 19.
Ndërkohë MSH nxitoi të qetësojë popullatën se të sëmuret janë asiptomatik, pra që nuk kanë shenja të sëmundjes.
Një gënjeshtër e madhe që vërtetohet lehtësisht si e tillë. E para, vetë MSH, përmes grupit task-forcë të ngritur, përfshirë kryeministrin, ka lajmëruar vazhdimisht përmes daljeve publike pa fund, me çdo mjet e forme të komunikimit publik, se po ndjek me përpikmëri protokollet e OBSH për kryerjen e testeve vetëm për rastet që paraqesin simptoma, (pra ethe, temperaturë, kollë, diarre, vështirësi në frymëmarrje).
Madje këtë këshillë që vetë OBSH e hodhi poshtë po vetë në fund të marsit, qeveria në Shqipëri vazhdon ta ndjekë me fanatizëm të pashoq si kundërpeshë të thirrjeve të opozitës se duhen shumë më tepër teste, marrë shembull nga Italia, Franca, Koreja, SHBA, Gjermania, Spanja, etj.
Pra Ministria e Shëndetësisë po përgënjeshtron ato që vetë thotë nga mëngjesi në darkë. E dyta, si gazetar, unë dhe kolegët e mi që kemi ndjekur nga afër situatën në vijën e parë, kemi intervistuar dhe pyetur shumë familjare të rrethit të parë të të sëmurëve me Covid 19, para Infektivit, qe pohojnë se nuk ju është bërë analiza PCR, (tamponi).
Madje këta të fundit kanë lëvizur lirisht në popullate pavarësisht rrezikut të madh se mund të ishin mbartës pa simptoma, (bëhet fjalë për të afërm te rrethit më të ngushte si nëna, babai, motra, vëllai, i të sëmurëve në infektiv).
Për më tepër kanë qenë ata që u kanë sjellë të sëmurëve në spital ushqime e rroba duke vënë në rrezik infektimi ne si gazetarë, punonjësit e policisë që ruajnë karantinën dhe vetë personelin e infektivit, edhe pse këta të fundit janë më të mirëpajisur me mjete mbrojtëse.
Pra kjo është një gënjeshtër e radhës që tregon se sa ka funksionuar i ashtuquajturi hetim epidemiologjik dhe sa të besueshme janë informacionet e centralizuara të qeverisë.
Këto që them i mbështes me video fakte (të familjareve para infektivit dhe intervista me ta).