Vendimi i presidenti Ilir Meta për të dekretuar ndryshimet në Kodin Penal, duket se ka shkaktuar mjaft debate dhe polemika në vend. Por për kreun e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka presidenti Meta ishte i detyruar të dekretonte këto ndryshime, ndërsa shtoi se përplasjet institucionale ne këto momente krijojnë pasiguri dhe ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët shqiptarë.
“Z. Ilir Meta ka treguar se mbetet një shtetar i përgjegjshëm, në raport me Institucionin e Presidentit, me Kushtetutën, me bashkëpunimin me Institucionet e tjera dhe në raport me qytetarët e vendit. Përtej mendimit tim personal, ne lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, gjykoj se Presidenti i Republikës me ndryshimet e draftit sugjeruar nga këshilltarët, ishte i detyruar të dekretonte ligjin. Përplasjet institucionale ne këto momente krijojnë pasiguri, frike dhe ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët. Edhe sjellja e opozitës është e moderuar, në respekt të sigurisë kombëtare, të gjendjes në të cilën ndodhemi nga goditja e pandemisë. Ilir Meta nuk është një personazh që përkulet lehtë, në fakt edhe kauzat e tija, përtej paragjykimeve, i ka fituar me përballje, me aksion politik dhe jo me pazare”, deklaroi ai.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka u shpreh se dekretimi i ndryshimeve në Kodin Penal nga Meta nuk është Pazar.
“Pazare janë bashkëpunimet e nëndheshme, që nuk bëhen transparente dhe që vendi, institucionet e demokracia funksionale kanë pasoja negative. Në këtë aspekt mund të ketë vend për hamendësime dhe fantazi, por jo një realitet i prekshëm. Nuk mund ta konsideroj pazar bashkëqeverisjen me PD, kur qytetaret votuan 50 me 50, dhe LSI ju bashkua qeverisjes duke zgjidhur një krize numrash. Nuk është pazar, kur Ilir Meta firmos marrëveshje me Ramën për te dale sëbashku ne zgjedhje, për te bere te mundur rotacionin politik. Pragmatizëm po, kjo e ka shoqëruar Metën vazhdimisht, është një lojtar politik që është rritur në beteja politike, është sulmuar dhe akuzuar më shumë se kushdo tjetër dhe i ka detyruar shumë aktore pelivan që t’i gëlltisin akuzat e tyre ne raportet politike e personale”, nënvizoi kreu i PDK, Nard Ndoka për gazetën “SOT”.