Vrasja e dy vëllezërve, babai: Marëm kredi për bizneset. Daja: Në qershor kishim gëzim, fejohej...

E mërkurë, 29 Prill 2020 14:47

Në familjen e 2 vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, të vrarë në Durrës, ka vetëm dhimbje dhe zi. Vrasja ka ndodhur rreth një muaj para se të fejohej vëllai i dytë, Viktori. ‘BalkanWeb’  shkruan se fejesa ishte lenë për në fillim të muajit qershor. Ai madje ishte emëruar edhe pedagog i asociuar në UAMD. Daja i viktimave, Nikolle Preci flet me dhimbje, por edhe i indinjuar mbi komentet mediatike që janë bërë për ta, ndërsa thekson se po flasin me shumë se ç’dinë.

Në këtë situatë kur kësaj familjeje i është mbyllur dera, ata kërkojnë nga shteti vetëm që të zbardhet e vërteta mbi këtë vrasje. Preci thekson se kjo familje, si shumë të tjera, ka qenë e varfër dhe se jetonte në një lagje periferike, por vetëm duke punuar me punë të pastra, ngritën gjithçka. Po ashtu daja thekson se familja nuk ka asnjë konflikt dhe nuk ka dijeni se për çfarë motivesh ka ndodhur krimi i dyfishtë.

Për BW ka folur edhe babai i viktimave, i cili ka treguar se si kishin punuar përgjatë këtyre viteve dy djemtë e tij.

Mes të tjerash, Kola tha se ka punuar me djemtë si mekanik në servis makinash dhe tek lavazhi. Babai i viktimave tha se kanë marrë disa kredi për bizneset e tyre, siç ishte dhe një shumë prej 40.000 eurosh, të cilën i duhet ta shlyejë pasi kishte lënë shtëpinë peng. Ai kërkon nga shteti që të zbardhet e vërteta, ndërsa mediat të mos i shqetësojnë e rëndojnë më shumë në gjendjen e rëndë që po kalon familja me variantet e dyshimta që sjellin.

Login to post comments